Dialogu me Serbinë s’duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur
Shoqëria civile ka kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta përgatitin platformën shtetërore për dialogun me Serbinë para takimit të palëve në Bruksel. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se për dialogun me Serbinë, Kosova duhet të përgatitet mirë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk duhet ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë. “KDI-ja i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, njëherësh edhe procesit të dialogut me Serbinë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje. Vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi”, është komunikatën e këtij instituti.
Sipas KDI-së, në këtë dokument do të duhej të artikuloheshin të gjitha kërkesat e Kosovës në këtë proces. “KDI-ja kërkon nga qeveria që, në koordinim me Presidencën, sa më parë ta përgatitin strategjinë dhe platformën shtetërore për dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces. Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkalojë rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, ka vlerësuar KDI-ja.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë me dije se Kosovës i duhet një platformë për dialog.
Ai ka thënë për “Epokën e re” se për një dokument të tillë Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa rezoluta. “Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezoluta, ka diskutuar dhe debatuar lidhur me nevojën që Kosova ta ketë platformën lidhur me dialogun me Serbinë. Për më tepër, përderisa dialogu Kosovë – Serbi synon një marrëveshje finale të detyrueshme dhe dallon nga dialogu teknik i 10 vjetëve të fundit, Kuvendi i Kosovës duhet të marrë rol mbikëqyrës më të madh në raport me qeverinë dhe ekipin negociues duke përcaktuar kornizën e temave të dialogut”, ka thënë Miftaraj.
Kërkohet ndërtimi i konsensusit nacional për dialogun
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se Kosova duhet të arrijë edhe një konsensus të brendshëm nacional rreth dialogut me Serbinë. KDI-ja i ka ftuar bartësit e këtij procesi, që krahas hartimit të strategjisë dhe platformës për dialogun, të ndërmarrin hapa konkretë drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun, me qëllim për ta forcuar pozicionin e Republikës së Kosovës në këtë proces. “Në këtë drejtim, kryeministri dhe presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese, duhet ta iniciojnë dhe t’i kontribuojnë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet për tejkalimin e pengesave për arritjen e pajtueshmërisë”, ka vlerësuar KDI-ja.
Kurse Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar se për këtë çështje të rëndësishme Kosova do të duhej të arrijë në konsensus nacional. Ai ka thënë se vetëm një konsensus i tillë do të garantojë zbatimin e çdo marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi. “Dialogu Kosovë – Serbi tejkalon partitë politike në pushtet dhe do të duhej koordinim, bashkëpunim dhe përfshirje edhe të opozitës. Vetëm një qasje e tillë do të garantonte edhe zbatimin e çdo marrëveshje që do të arrihej”, është thënë Miftaraj.
Dy ditë më parë komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar rinisje të shpejtë të dialogut për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të dialogut Beograd – Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë”, është thënë në letrën e Varhelyit. Sipas tij, një gjë e tillë është thelbësore për rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Komisionari i BE-së ka thënë se mezi pret që të takohet me kryeministrin Kurti.
Ditë më parë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh. Ai ka treguar se ka marrë garanci se udhëheqësit e të dy vendeve janë të gatshëm ta vazhdojnë dialogun.
“Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova, ashtu siç jemi marrë vesh edhe me zotin Kurti, duhet ta përfundojë krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Vuçiq. Po ashtu, Vuçiqi më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, ka deklaruar Lajçak.
(Muhamet Koci)