Dialogu me Serbinë, Tahiri: Kosova nuk ka hequr dorë nga njohja, Kurti po
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri është shprehur se Kosova nuk ka hequr dorë nga njohja e Serbisë, por sipas tij, kryeministri Albin Kurti në këtë periudhë ka hequr dorë.
“Kosova nuk ka heq dorë nga njohja, por në këtë periudhë ka heq dorë Albin Kurti, fatkeqësisht, mirëpo jo Kosova. Kurti e drejton vendin në këtë periudhë, nesër do të jetë dikush tjetër kryeministër, do të jetë dikush tjetër president i vendit dhe normalisht që ne nuk heqim dorë nga ambiciet tona si shoqëri, pavarësisht dështimeve momentale që mund të kenë liderët, si në këtë rast kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Më tutje, Tahiri ka thënë se largimi i njohjes në qendër dhe “sjellja e vetëmenaxhimit të serbëve, është dëm i madh për vendin”.
“Mendoj që ky është një dëm i madh në këtë proces, largimi i njohjes në qendër dhe sjellja e vetëmenaxhimit të serbëve, e cila do të përkthehet në një autonomi në të ardhmen në qendër, është një dëm i madh për vendin tonë”, ka thënë Tahiri.