Dialogu të kushtëzohet me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

30 gusht 2018 | 08:26

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur sot (e enjte) në Kosovë do të mbahet marsh përkujtimor në shenjë nderimi për personat e zhdukur. 

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky marsh ka për qëllim sensibilizimin e çështjes së personave të zhdukur në mënyrë që pala serbe ta tregojë vendndodhjen e 1 648 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

“Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur e shënojmë në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kanë qenë të zhdukur dhe për ata që vazhdojnë të jenë të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk dihet. Përveç përkujtimit dhe nderimit, marshi përkujtimor ka për qëllim edhe sensibilizimin e kësaj çështje në mënyrë që të ndikohet më tepër tek pala serbe që është përgjegjëse si dhe ka informata për vendndodhjen e personave të zhdukur. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’u bëjë presion autoriteteve të Beogradit dhe t’i detyrojë të japin informata se ku gjenden varrezat masive dhe individuale, sepse 1 648 persona diku janë dhe nuk i ka lëshuar toka. Me këtë marsh i bashkohemi mbarë botës dhe ndajmë dhimbjen me familjarët e personave të zhdukur”, është shprehur Gjetaj.

Ai ka kërkuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që çështja e të zhdukurve të bëhet pjesë e agjendës së dialogut Kosovë – Serbi. 

Gjetaj ka thënë se vazhdimi i dialogut duhet të kushtëzohet me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. 

Por, ai ka treguar se aktualisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka gatishmëri që çështja e të zhdukurve të bëhet pjesë e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka thënë…