Diaspora dërgoi 750 milionë euro për shtatë muaj
Diaspora për shtatë muaj ka dërguar në Kosovë 750 milionë euro, shifër kjo rekorde që nga paslufta. Kjo shumë për Lirim Krasniqi nga “Germin” ka ndikim të jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës, duke marrë për bazë edhe pandeminë dhe humbjet që kanë pësuar bizneset.
“Ne dje kemi publikuar një grafikë lidhur me remitencat për këtë vit, respektivisht deri në muajin gusht, dhe ajo që kemi vërejt është se kemi një numër të dërgesave rekord nga diaspora krahasuar që nga vitet e pasluftës, e flasim për periudhën janar-gusht një shifër prej 750 milionë euro. Kjo është një impakt i jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh edhe gjendjen pandemike dhe humbjet e bizneseve. Këto janë vetëm dërgesat që kanë ardhur nga jashtë, pa përmendur këtu edhe qëndrimin e tyre këtu në vend dhe shpenzimet që kanë bërë”, ka thënë ai për “EO”.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë kjo ndihmë e diasporës ndihmon në ruajtjen e paqes sociale, sepse sipas tij shumë familje burimin e kanë nga remitancat.
“Kjo e ndihmon këtë ruajtjen e paqes sociale, sepse shumë familje në Kosovë e kanë burimin nga remitancat, por marrë në përgjithësi nuk është që ka një rrjedhje të parasë përmes konsumit të përditshëm”, ka thënë Krasniqi.
Sa i përket benefiteve më shumë në konsum se në investime nga këto remitenca, Krasniqi ka thënë se duhet të ketë një strategji shtetërore që ta rregullojë këtë proces.
“Duhet të ketë një strategji apo politikë shtetërore dhe që të tërhiqen investime. Por, gjithsesi ka instrumente të tilla që mund të kenë impakt më të madh ne ekonominë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021. Kështu është thënë në raportin “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë Covid-19”, të prezantuar nga Banka Botërore.
Sipas raportit, deri në fund të këtij viti, kjo rritje do të jetë 7.1 për qind, kundrejt një tkurrje prej 5.3 për qind që ishte vitin e kaluar.