Diaspora deri më tash ka ndihmuar me mbi 180 mijë euro qeverinë për luftimin e COVID-19
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ditë më parë ka kërkuar nga diaspora që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar pandeminë e COVID-19 në Kosovë.
Lidhur me këtë, Ministria e Financave dhe Transfereve, konfirmon se deri më tash në këtë xhirollogari janë dërguar mbi 180 mijë euro.
“Shuma e mjeteve te grumbulluara lëviz dhe aty pranohen mjetet në vijimësi ashtu sikurse edhe vijnë. Për momentin nën-llogaria bankare përkatëse ka tejkaluar vlerën e 180 mijë euro. Në përgjithësi nuk ka pasur vështirësi meqë ne kemi dhënë udhëzime të plota publike por edhe kemi udhëzuar palët që na kanë kontaktuar”, thuhet në përgjigjen e MFT-së.
Ministria thotë se, shpërndarja dhe shpenzimi i këtyre mjeteve do të bëhet te ato organizata buxhetore që janë të dedikuara për ta luftuar këtë pandemi.
“Alokimi dhe shpenzimi i këtyre mjeteve do të bëhet tek organizatat buxhetore (nëse nuk janë dedikuara nga vet donatori), vetëm për dhe lidhur me qëllimin e deklaruar dhe përmes kodit të veçantë të projektit që kemi hapur për këtë qëllim (00099), për komponentë të ndryshëm në luftën kundër pandemisë, në pajtim me legjislacionin përkatës për financat publike”, shpjegon MFT.
Ditë më parë, Qeveria në detyrë e Kosovës kishte miratuar nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve me institucionet ndërkombëtare financiare me qëllim të sigurimit të kredive për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e Coronavirusit. /Telegrafi/