Diaspora duhet të bëhet pjesë e sistemit politik
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka bërë me dije se diaspora duhet të bëhet pjesë e sistemit politik.
Ai ka deklaruar se këtë çështje e kanë diskutuar me subjektet politike dhe ekziston vullneti që kjo të ndodhë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka thënë se për ta arritur këtë qëllim duhet një reformë e listës zgjedhore. “Diaspora gjithqysh duhet të jetë pjesë e sistemit politik të Kosovës, duke pasur parasysh se ne kemi mbi 700 mijë banorë vetëm në Evropë që janë me orgjinë nga Kosova dhe që kanë të drejtën e votës. Mirëpo procesi, si i tillë, nuk ua mundëson që në mënyrë adekuate të jenë të përfaqësuar në sistem”, ka thënë Gashi. Ai ka kritikuar KQZ-në që deri më tani nuk ka arritur të organizojë zgjedhje për diasporën.
Gashi ka treguar se me subjekte politike është diskutuar edhe çështja e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për diasporën. “Partitë politike kanë mendime të ndryshme për përfaqësimin politik të diasporës në institucionet e Kosovës. Një prej këtyre mendimeve është që diaspora t’i ketë në Kuvend 5 deri në 6 vende të rezervuara. Kjo nuk është problem, sepse ne mund t’ua rezervojmë edhe vendet diasporës, mirëpo problemi është se nuk funksionon sistemi zgjedhor për diasporën. Deri tash KQZ-ja ka dështuar të organizojë zgjedhje për diasporën”, është shprehur Gashi.
Më tej, ai ka deklaruar se të gjitha kërkesat e diasporës janë marrë parasysh nga institucionet e Kosovës. “Një prej kërkesave të tyre ka qenë themelimi i një televizioni. Ne veçse kemi marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për këtë çështje, pra RTSh-në dhe RTK-në, ku në bashkëpunim do ta themelojmë televizionin e diasporës. Kërkesa e tyre për kartonin e gjelbër, siç e thashë, është në procedurë e sipër. Pra, jemi në bashkëpunim me të gjithë partnerët relevantë për ta zgjidhur këtë çështje. Sa i përket mësimit plotësues në gjuhën shqipe, edhe këtë çështje e kemi trajtuar, por duhet të kihet parasysh se të gjitha kërkesat nuk mund të trajtohen dhe të realizohen përnjëherë”, ka thënë Gashi.
“Epoka e re”: Z. Gashi, diaspora edhe këtë vit, në fillim të muajit gusht, do të mblidhet në Prekaz. Cili do të jetë qëllimi i këtij manifestimi dhe pse pikërisht në Prekaz?
Gashi: Së pari, diaspora do të mblidhet në Prekaz sepse tashmë ky manifestim është bërë tradicional. Një arsye shtesë është se sivjet kemi shënuar 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe njihet edhe si viti i Skënderbeut. Pastaj të dy qeveritë, e Kosovës dhe e Shqipërisë, kanë bërë marrëveshje që tash e tutje diaspora jonë të trajtohet si një trup sa iu përket qendrave kulturore, të drejtës për arsimim dhe shumë procedurave të tjera. Po ashtu, të dy qeveritë janë pajtuar për formimin e një televizioni të përbashkët për diasporën shqiptare. Natyrisht se edhe këtë vit do të mblidhemi aty, sepse ai vend e ka simbolikën e vet.
“Epoka e re”: Tradicional është bërë edhe organizimi i shumë aktiviteteve në kuadër të manifestimit “Dita e Diasporës”. Do të ketë ndonjë risi këtë vit?
Gashi: Manifestimet e këtij viti nuk do të kenë ndonjë dallim të madh prej atyre të viteve të kaluara, përveçse shpresojmë se do të jetë pak më mirë, sepse në vitet e fundit kanë qenë pak më zbehtë manifestimet e tilla. Do të ketë manifestime të ndryshme në disa komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, duke përfshirë Prishtinën, Dardanën, Ferizajn, Rahovecin dhe disa komuna të tjera. Pastaj do të ndajmë mirënjohje për personalitete të caktuara që kanë dhënë kontribut për diasporën. Për këto mirënjohje do të vendosë një komision i cili veçse ka filluar tash të punojë për t’i përzgjedhur propozimet. Ndër të tjera, do t’i ndajmë edhe çmimet për gazetarin dhe storien e vitit për diasporë.
“Epoka e re”: A keni marrë ndonjë veprim i cili do t’ua lehtësonte bashkatdhetarëve hyrjen në kufi apo lehtësimin e procedurave për pajisje me dokumentacion të nevojshëm?
Gashi: Këtë vit në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi mënjanuar një problem, që ka qenë pritja në kufi për marrjen e sigurimit shtesë, që duhet t’i paguajnë veturat që hyjnë me targa të huaja në Kosovë. Tash nuk ka nevojë të dilet prej makinës dhe të paguhet në kufi, por mund të blihet online. Shpresoj se bashkatdhetarët tanë kanë filluar ta përdorin këtë platformë, të cilën e kemi formuar në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Byronë e Sigurimeve të Kosovës. Mendoj se ky është një lehtësim jo i vogël, ani pse nuk kemi arritur ende ta mënjanojmë këtë pagesë. Dua të qartësoj këtu se këtë pagesë nuk e kërkon Qeveria e Kosovës, por është një problem që kompanitë e sigurimit të Perëndimit nuk e njohin sigurimin e kompanisë që hynë në Kosovë, për faktin se ende nuk jemi shtet anëtar i Kartonit të Gjelbër. Prandaj, jemi të obliguar t’i pajisim qytetarët me sigurimin shtesë. Siç jeni të njoftuar, ne jemi në negociata për këtë çështje dhe kemi avancuar shumë. Besoj se brenda këtij viti do të arrijmë marrëveshje me shtetin e Austrisë ose me ndonjë shtet tjetër që të marrin përsipër Kartonin e Gjelbër për Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim më nuk do të ketë nevojë të paguhet ky sigurim shtesë.
“Epoka e re”: Në konferencën “Diaspora flet”, që është organizuar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Germin”, diaspora ka paraqitur pesë kërkesa për institucionet e Kosovës. Sa janë gjasat të realizohen ato kërkesa?
Gashi: Një prej kërkesave ka qenë themelimi i një televizioni. Ne veçse kemi marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për këtë çështje, pra RTSh-në dhe RTK-në, ku në bashkëpunim do ta themelojmë televizionin e diasporës. Kërkesa e tyre për kartonin e gjelbër, siç e thashë, është në procedurë e sipër. Pra, jemi në bashkëpunim me të gjithë partnerët relevantë për ta zgjidhur këtë çështje. Sa i përket mësimit plotësues në gjuhën shqipe, këtë çështje e kemi trajtuar, por duhet të kihet parasysh se të gjitha kërkesat nuk mund të trajtohen dhe të realizohen përnjëherë. Mirëpo, e rëndësishme është se të gjitha kërkesat e diasporës janë marrë parasysh nga institucionet e Kosovës. Kurse kërkesa e diasporës për të drejtën e votës dhe përfaqësimin në politikëbërje, është çështje që duhet të diskutohet në mes të partive politike në Kosovë, në mënyrë që të dakordohen se si duhet ta rregullojnë këtë çështje. Ne i kemi disa propozime që i kemi marrë prej diasporës dhe i kemi trajtuar me partitë politike dhe kjo tani varet prej tyre.
“Epoka e re”: Çfarë janë këto propozime që i keni marrë prej diasporës?
Gashi: Ne i kemi diskutuar dhe kemi insistuar ta fillojmë reformimin e listës zgjedhore. Në këtë proces Ministria e Diasporës do të jetë pjesë e çdo diskutimi me idenë që t’i përfaqësojë interesat e diasporës, në këtë rast interesat dhe kërkesat politike. Diaspora gjithqysh duhet të jetë pjesë e sistemit politik të Kosovës, duke pasur parasysh se ne kemi mbi 700 mijë banorë vetëm në Evropë që janë me orgjinë nga Kosova dhe që kanë të drejtën e votës. Mirëpo, procesi si i tillë nuk ua mundëson që në mënyrë adekuate të jenë të përfaqësuara në sistem. Ju e dini se prej 700 mijë personave kanë marrë pjesë vetëm 10 mijë prej tyre në zgjedhjet e kaluara. Kjo ka qenë pjesëmarrja më e lartë deri më tani, por që është larg prej nevojave që ka diaspora dhe të drejtën që ata e kanë për të qenë të përfaqësuar.
“Epoka e re”: Përfaqësuesit e diasporës si kërkesë politike e përmendin shpesh edhe çështjen e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. E keni diskutuar këtë çështje me partitë politike dhe cili është vullneti i tyre?
Gashi: Partitë politike kanë mendime të ndryshme për përfaqësimin politik të diasporës në institucionet e Kosovës. Një prej këtyre mendimeve është që diaspora t’i ketë në Kuvendin e Kosovës 5 deri në 6 vende të rezervuara. Ky nuk është problem, sepse ne mund t’ua rezervojmë edhe vendet diasporës, mirëpo problemi është se nuk funksionon sistemi zgjedhor për diasporën. Deri tash KQZ-ja ka dështuar të organizojë zgjedhje për diasporën.
Muhamet KOCI