Diaspora duhet të votojë, por edhe të dëgjohet
Nga Mimoza Kelmendi
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pendeli Majko u shpreh ditë më parë se nëse KQZ-ja nuk do bëjë realitet votën e diasporës, kjo çështje do të nxisë reagime dhe pakënaqësi në radhët e tyre. “Mendoj se KQZ-ja nuk duhet ta konsiderojë veten si forum partiak, KQZ e ka punën e vet, partitë kanë punën e tyre”, ka theksuar ministri për Diasporën.
Ka disa shkaqe themelore që e bëjnë të domosdoshme realizimin e votës së shqiptarëve kudo që jetojnë.
Së pari, ata i takojnë vendit të tyre dhe janë të interesuar drejtë për së drejti në zhvillimet politike, financiare, shoqërore dhe ekonomike të atdheut, nga i cili janë larguar, në shumicën dërmuese, gjeografikisht, por jo shpirtërisht. Lidhjet me Shqipërinë vazhdojnë të jenë të fuqishme, dhe, në të njëjtën kohë, të rëndësishme. Askush, për arsye burokratike apo çështje teknike, nuk ka të drejtë të ndërpresë këto lidhje. Së dyti, jashtë Shqipërisë jetojnë sot rreth një e treta e popullsisë, e cila nuk ka shumë kohë larguar dhe nuk i ka humbur lidhjet me njerëzit, krahinën nga vijnë, përfaqësuesit dhe, mbi të gjitha me familjet e tyre. Këto lidhje njerëzore, përmes votimit, pasurohen dhe nuk duhet të ndërpriten.
Së treti, megjithëse, si shumica e shqiptarëve, edhe te migrantët ndjehet një dozë politizimi, ndoshta nga që nuk kanë shumë kohë të larguar, përsëri, mendimi i tyre politik dhe qëndrimi ndaj ngjarjeve, forcave politike, personaliteteve, lëvizjeve të reja apo tradicionale, janë më të larguara nga përplasjet, mllefi dhe skajimi në çështje që mund të shtrohen. Duke qenë disi të larguar nga mjedisi ku votohet dhe ku përplasjet janë gjithnjë në rritje dhe, nga ana tjetër më të qetë në gjykimin e tyre, vlera e votës së shqiptarëve në emigrim është edhe masive, edhe cilësore.
Ky nuk është një fenomen thjeshtë i yni. Vende të tjera e kanë kaluar, disa janë në rrugën e zgjedhjes, si në Kosovë, të tjerë po bëjnë përpjekje për të qenë sa më fleksibël.
Roli i migrantëve është i ndjeshëm në botë, njëjtë si në Shqipëri. 81 milionë migrantë jetojnë tashmë në Evropë, ndërsa në Gjermani jetojnë rreth 13 milionë, ndër ta edhe 700 mijë shqiptarë, të cilët kanë ardhur nga të gjitha viset. Ata janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e konflikteve, pasigurisë apo varfërisë me shpresë për një jetë më të sigurt dhe më të mirë në një atdhe të ri. Shuma e përgjithshme, që dërgohet çdo vit nga migrantët në familjet e tyre në atdhe, është kthyer në një faktor ekonomik. Ajo është gati tri herë sa ndihma për zhvillim që japin vendet e pasura. Banka Botërore (sipas të dhënave të vitit 2018) e vlerëson shumën e transfertave të migrantëve në të gjithë botën në 470 miliardë dollarë në vit. Remitancat kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të origjinës së migrantëve, por paratë shpenzohen kryesisht për konsum dhe jo për investime produktive.
Prandaj sot është fakt që diaspora duhet trajtuar si partner për zhvillimin e Shqipërisë dhe jo vetëm si burim financash sa për të mbijetuar. Ajo që bie në sy kohët e fundit është përpjekja e qeverisë shqiptare për të ngritur një sistem për lehtësimin e votës së emigrantëve, një sistem të besueshëm që vota e shqiptarëve jashtë atdheut të garantohet e të lexohet me drejtësi dhe ndershmëri. Por vetëm Ministri i Diasporës është i prerë në kërkimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi sipas tij, ka ardhur koha që edhe ata të marrin fatin e tyre në dorë. Publiku i gjerë, brenda dhe jashtë vendit ka kohë që diskuton domosdoshmërinë apo jo të votës së Diasporës shqiptare. Kërkesa e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë vendit për të votuar në atdhe ka qenë gjithmonë një dëshirë e shumëshprehur dhe e kërkuar vazhdimisht.
Por a mjafton thjesht vetëm një votim? A nuk ka ardhur koha që Diaspora të dëgjohet dhe të përfaqësohet deri në Parlament? Mosrealizmi i premtimit të votës për emigrantët në vendet ku banojnë nga të gjitha krahët e politikës, mosreagimi i KQZ në afatin e duhur megjithë thirrjet e qeverisë për t’ia mundësuar shqiptarëve jashtë dhënien e votës është thjesht një tjetër zhgënjim ndaj Diasporës. Ne shqiptarët jashtë nuk jemi vetëm numra dhe nuk duam që këto numra të shfrytëzohen edhe për votim thjesht si numra. Ne jemi një Shqipëri e vërtetë, ashtu siç thotë edhe Kadare. Ndaj kemi të drejtë të votojmë, të dëgjojmë, diskutojmë dhe të kritikojmë. Madje kemi të drejtë të jemi edhe në Parlament. Sepse siç ka deklaruar vetë ministri Majko: “Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare”.
Problemi themelor që shtrohet qëndron në aksiomën se „ nuk ka votim, pa përfaqësim“. Nëse diaspora do të trajtohet si objekt financiar dhe jo si subjekt i zhvillimit dhe i një vizioni të ri, atëherë edhe vetë votimi nuk do të ketë vlerat e pritura. Shqipëria, në traditën e hershme parlamentare, ka pasur gjithnjë vende të rezervuara për ato që janë quajtur koloni shqiptare, megjithëse të pakta, jo kaq masive, por cilësore dhe gjithë përfaqësuese. Ka ardhur koha, sidomos me zhvillimet cilësore dhe personalitetet shqiptare që janë në botë, të ligjërohet saktësisht, jo vetëm votimi, por edhe përfaqësimi.