Diaspora e Kosovës arrin numrin e mbi një milion banorëve
Shkruan: Isa Krasniqi, ish-kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës
1,017,455 banorë të popullsisë jorezidente e Republikës së Kosovës jetojnë në Diasporë
Meqenëse Diaspora ka një ndikim shumë dimensional në Republikën e Kosovës, për Diasporën tonë, për nevojat e ndryshme të institucioneve të Kosovës dhe për palë të ndryshme të interesit lidhur me këtë fushë, do të përpiqem të ofroj të dhëna shumë interesante në aspektin demografik të popullsisë në Diasporë.
Bazuar në të dhënat e ASK-së në publikimin “Migracioni Kosovar”, me bazë Regjistrimin e Popullsisë 2011, numri i popullsisë jorezidente me prejardhje nga Kosova del të jetë 703,978 persona.
Për të llogaritur numrin e përafërt të kontigjentit jorezident të Republikës së Kosovës, pra numrin e përafërt të popullsisë me prejardhje nga Republika e Kosovës, duhet bazuar në Bilancin e migrimit nga Kosova ndër vite dhe shtimin natyror të kësaj popullsie jorezidente të vendit tonë, që jeton gjithandej në Diasporë.
Tabela e mëposhtme paraqet Bilancin e migrimeve nga viti 2011 deri në vitin 2021, sipas Vlerësimeve të Popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga viti 2011 deri në vitin 2021.
Numri i vlerësuar i popullatës me prejardhje nga Republika e Kosovës me bazë në vitin 2011 ishte 703,978, ndërsa Bilanci i migrimeve deri në fund të vitit 2021 sipas tabelës së mësipërme del të jetë 217,487 banorë. Rrjedhimisht, sipas kësaj përllogaritje deri tash numri total i popullsisë deri në fund të vitit 2021, del të jetë 703,978 + 217,487= 921,465 banorë që jetojnë në diasporë.
Por, në këtë rast duhet ta llogarisim edhe shtimin natyror të kësaj popullsie sipas viteve, për ta shtuar në totalin e popullsisë jorezidente të Republikës së Kosovës, apo në Diasporë. Këto janë kalkulime të vështira por matematika e bënë këtë të mundur.
Shtimi natyror i përafërt në Diasporë sipas llogaritjeve del të jetë 95,990 persona jorezident të Republikës së Kosovës, për periudhën 2011-2021.
E cilësuam shtim natyror të përafërt, sepse bazuar në lëvizjen e raporteve të popullsisë rezidente dhe jorezidente, rezultati mund të merret vetëm me përafrim, nga se deri tash nuk ka të dhëna të sakta zyrtare të shtimit natyror në Diasporë.
Duke përllogaritur tash edhe shtimin natyror të Diasporës sonë, gjejmë përafërsisht numrin e popullsisë së Diasporës së Republikës së Kosovës.
Pra, 921,465 + 95,990 = 1,017,455 popullsi jorezidente e Republikës së Kosovës, që jeton në Diasporë.
Keni parasysh që këto të dhëna janë vlerësime të përafërta nga ana ime, sepse janë të bazuara në të dhëna të vlerësuara dhe në burime jo të mjaftueshme, me një prerje të periudhës që nga viti 1969, që është krejt normale për të pasur mospajtime, si për mbinumërim ashtu edhe për nënnumërim eventual të numrit të popullsisë në Diasporë.
Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, nga Vlerësimi i Popullsisë deri në fund të vitit 2021, gjejmë pjesëmarrjen apo përqindjen e popullsisë së Diasporës deri me datë 31.12.2021, në raportin e popullsisë rezidente dhe jorezidente dhe në raportin e të dyjave bashkë.
Pra në Diasporë jetojnë 1,017,455 banorë jorezident të Republikës së Kosovës, ose 57.4 % në krahasim me numrin e popullsisë rezidente të Republikës së Kosovës.
Apo, në Diasporë jetojnë 1,017,455 banorë jorezident të Republikës së Kosovës, që është 36.4% e totalit të popullsisë rezidente dhe jorezidente e Republikës së Kosovës
Për sqarim të fundit, llogaritjet janë personale duke u bazuar në të dhënat e mëposhtme dhe rezultatet e mia në këtë paraqitje nuk janë zyrtare.