Diaspora në pasqyrën e thyer të perceptimit

04 tetor 2019 | 17:26

Që të mos ndodhë perceptimi për diasporën në pasqyrën e thyer, duhet të ndryshojë qasja ndaj saj, në radhë të parë nga ata që pas 6 tetorit marrin obligim ta përfshijnë kontributin e diasporës jo vetëm me remitencat familjare, por mbi të gjitha me investimet që mund të shkojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës. Rëndësia pse duhet të ndodhë ndryshimi i madh me këto zgjedhje, lidhet edhe me diasporën dhe sidomos me borxhin që duhet kthyer asaj për gjithë kontributin e dhënë në dekadat e fundit

Nga Mehmet PRISHTINA

Perceptimi për diasporën te ende lëviz brenda një kuadri të ngushtë kuptimesh të reduktuara, ku kryesisht dominon komponenta  e ndihmës financiare dedikuar familjeve në vendlindje. Por, në fakt ky perceptim në vetvete ngërthen një paradoks bukur të madh, për arsye se padrejtësisht atributet për diasporën kufizohen vetëm në suaza të dimensionit social dhe sikur harrohen, apo padrejtësisht nuk afirmohen sa duhet, dimensionet tjera, që janë edhe thelbi i misionit të diasporës në këto dekadat e fundit.

Në radhë të parë, diaspora e njerëzve tanë të larguar nga vendlindjet e tyre, ishte një grumbullim energjish në vende të lira ku ndikimi dhe prania e regjimeve antishqiptare ishte e përmasave margjinale. Vendet e Evropës dhe përtej Atlantikut u bënë foletë e ngrohta ku njeriu i shkulur shqiptar thuri ëndrrën për një Kosovë të lirë. Ashtu edhe ndodhi, por jo vetvetiu.

Organizimi perfekt i diasporës sonë dhe sidomos lobimi pro çështjes shqiptare që u fut në agjendat e diplomacive euoamerikane, ishin meritë kryekëput e njerëzve tanë në emigracion. Falë këtij lobimi Kosova arriti të depërtojë në Kongresin dhe Senatin Amerikan, kurse përfaqësuesit kosovarë arritën shlirshëm t’i artikulojnë idetë dhe kërkesat e tyre për shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës.

Tani kur dëgjojmë të flitet për diasporën, njerëzve instinktivisht mendja iu shkon te remitencat. Pra, diaspora jonë ende perceptohet si ‘bankomat’, ndërkohë që anashkalohen dimensionet tjera më të qenësishme që lidhen me misionin e saj.

Por, ky perceptim nuk ka ardhur vetvetiu. Diskursi publik për këtë perceptim është krijuar në radhë të parë nga vetë popullata, e cila të vetmen alternativë të sigurt të gjallimit të saj e ka pikërisht lidhjen me diasporën, konkretisht me njerëzit e afërt të familjes. Milionat që aktualisht dërgohen në Kosovë nga diaspora, janë një konkurrencë e fortë që i bëhet buxhetit shtetëror, i cili nuk po arrin të krijoj stabilitet të mirëfilltë ekonomik dhe mirëqenie afatgjate sociale. Analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare sugjerojnë që këto dërgesa në njërën anë e mbajnë gjallë kondicionin social në Kosovë, por në anën tjetër krijojnë shprehi të keqe te të rinjtë, të cilët mendojnë se pa punuar mund të fitosh para.

Megjithatë, arsyeja kryesore pse janë krijuar këto perceptime për diasporën, qëndron në faktorin shtet. Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë një legjislacion të qëndrueshëm i cili do të ishte garanci e investimeve nga diaspora. Ka shumë biznesmenë sot në diasporë të cilët më të rëndësishme se fitimin e kanë garancinë për të mos humbur investimin. Dihet që garancitë i jep vetëm shteti i së drejtës, i cili është në gjendje të krijoj kulturën e nikoqirllëkut të mirë, ku secili ndjehet komod me biznesin e tij, sepse në fund endjen se shtetin e ka aleat në çfarëdo situate.

Shtetet si Greqia, Spanja, Portugalia, Hungaria, Polonia etj. krijuan infrastrukturë mjaft të zhvilluar ligjore përmes së cilës investimet nga diaspora ishin të garantuara me dorën e kujdesshme të shtetit.

Kosova nuk është ishull i vetmuar për të mos përvetësuar këto modele të mira, kurse kjo mund të bëhet realitet pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Që të mos ndodhë perceptimi për diasporën në pasqyrën e thyer, duhet të ndryshojë qasja ndaj saj, në radhë të parë nga ata që pas 6 tetorit marrin obligim ta përfshijnë kontributin e diasporës jo vetëm me remitencat familjare, por mbi të gjitha me investimet që mund të shkojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës.

Rëndësia pse duhet të ndodhë ndryshimi i madh me këto zgjedhje, lidhet edhe me diasporën dhe sidomos me borxhin që duhet kthyer asaj për gjithë kontributin e dhënë në dekadat e fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për…