Diaspora për dy muaj dërgoi rreth 175 milionë euro

06 prill 2025 | 08:14

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave në janar 2025 shënoi 86.14 milionë euro, përafërsisht në nivel të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2025 ishin rreth 88.12 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 174.26 milion euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt 2025 kanë qenë përmes IFJB-ve me 62.65%, bankave komerciale me 16.45% dhe kanaleve tjera me 20.90%”, thuhet në raportin për statistikat e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e katër 2024 dhe Bilancit të Pagesave për muajin janar 2025.

Sipas BQK-së, bilanci i pagesave – në fund të muajit janar 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 21.36 milionë euro, i cili tregon thellim të deficitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur llogaria rrjedhëse kishte suficit prej 6.78 milionë euro. Shkaktari më i madh i këtij deficiti është rritja e deficitit në bilancin tregtar.

“Bilanci tregtar në mallra gjatë muajit janar 2025 shënoi deficit në vlerë 379.26 milionë euro, i cili është për 31.16% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti shënoi vlerën 61.16 milionë euro, me një rritje prej 0.46%, ndërsa importi shënoi rritje prej 25.82% duke arritur vlerën 440.42 milionë euro”, njofton BQK.

BQK njofton se investimet direkte në Kosovë – në janar 2025 ishin 90.96 milionë euro, të cilat paraqesin rritje prej 12.19% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 16.19 milionë euro, me rritje prej 19.12% krahasuar me janar 2024.

“Asetet rezervë deri në janar 2025 janë rritur për 45.95 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin 15.21 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave për 45.95 milionë euro, ndërsa nuk ka pas investime në letra me vlerë gjatë muajit janar 2025”, njofton BQK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dukagjini dhe Llapi do të përballen në kuadër të xhiros…