Diaspora do përfaqësim në Kuvend, deputetët skeptik (Video)
Diasporës vazhdon të mos i dëgjohet zëri në Kuvendin e Kosovës. Vite me parë kishte filluar një diskutim që në reformën zgjedhore të futeshin edhe disa ndryshime të cilat do t’i mundësonin diasporës përfaqësimin në Kuvend dhe atë përmes vendeve të rezervuara enkas për ta, por që kjo ka mbetur vetëm në letër.
Ministria e Diasporës, por edhe vetë organizatat që merren me të drejtat e bashkatdhetarëve e shohin të domosdoshëm përfaqësimin e tyre në Kuvend.
Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci, ka thënë për “Kosovapress”, se janë duke punuar për strategjinë e re të kësaj ministrie e cila do të jetë për periudhën 2019-2024, ku është paraparë që diaspora të ketë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës.
Madje, sipas tij, diaspora duhet të jetë e përfaqësuar jo vetëm në Kuvend, por edhe në asamble komunale.
Edhe drejtoresha e organizatës “Germin” për Kosovën, Liza Gashi, organizatë kjo që merret me diasporën, ka thënë se e shohin shumë të domosdoshme që bashkatdhetarët të kenë përfaqësim në institucionet më të larta të Kosovës.
Madje, sipas saj, diaspora duhet të njihet edhe me Kushtetutë, meqë është grupi më i madh social që jeton jashtë vendit.
Por për mundësinë që e përfaqësimit të diasporës në Kuvend e shohin pak me spekticizëm deputetët dhe shoqëria civile. Megjithatë, ata kanë dhënë alternativa të tjera, që sipas tyre janë më të mira.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë për “Kosovapress”, se ideja për përfaqësim politik të diasporës duhet analizuar shumë dhe me kujdes, duke ditur se bashkatdhetarët nuk janë të koncentruar vetëm në një shtet, por janë në gjithë botën.
Edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, e sheh të rëndësishme përfaqësimin e diasporës në institucionet e vendit.