Diaspora shqiptare ka dërguar 926 milionë euro
Shqipëria rendit e dhjeta në Evropë për sa i përket nivelit të të ardhurave që sjellin emigrantët. Edhe pse vitet e fundit ka pasur një zbehje të nivelit të ardhurave, përsëri shumë familje në vend jetojnë vetëm me remitancat.
Sipas të dhënave të “Eurostat”, emigrantët sollën në Shqipëri 926 milionë euro gjatë vitit 2018. Serbia rezulton se ka nivelin më të lartë të remitancave në rajon, ndërsa Shqipëria ka lënë pas Kosovën dhe Maqedoninë.
Shumë familje në Shqipëri, kryesisht në zonat rurale, vijojnë të mbahen me të ardhurat nga emigrantët.
Në një raport të “Eurostat”, konstatohet se Shqipëria zë vendin e tretë në rajon për nivelin e të ardhurave nga emigrantët dhe vendin e dhjetë në Evropë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2018, në vend kanë hyrë gjithsej 926 milionë euro.
Remitancat kane qenë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare që prej rënies së komunizmit si pasojë e normës së lartë të emigracionit.
Në raport theksohet se mesatarja e remitancave gjatë viteve 2017-2018 ishte 1.15 miliard euro ose rreth 12 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto së vendit.
Rumania është vendi me nivelin më të lartë të remitancave që sjellin emigrantët dhe rezulton se gjatë 2018 ka përfituar 2.97 miliardë euro, ndërsa në vend të dytë renditet Serbia me 2.95 miliardë euro.
Shqipëria ndërkohë ka lënë pas vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat gjatë 2018 kanë pasur përkatësisht 200 milionë dhe 800 milionë euro.
Aktualisht, Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të emigracionit në botë në krahasim me popullsinë e saj. Sipas Kombeve të Bashkuara për vitin 2017, numri i emigrantëve shqiptarë që aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit vlerësohet në 1.15 milion.
Rreth 90 për qind e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Evropë, pjesa tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe vetë qeveria ka pranuar në strategjinë për diasporën se Shqipëria vazhdon të mbetet një shtet i varur nga dërgesat e emigrantëve, madje, pranohet se rënia e remitancave në vitin 2008 deri në vitin 2013 solli rritjen e varfërisë në vend.
Në të njëjtin dokument thuhet se vlera e remitancave shkon nga 9 për qind deri në 15 për qind e të ardhurave për familjet në Shqipëri dhe me to sigurojnë ushqime, veshmbathje, ilaçe, apo përdoren për ndërtimin apo mobilimin e shtëpisë. /Ora News/