Diaspora shqiptare mblidhet në Prekaz
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, janë takuar të mërkurën ku kanë biseduar për manifestimin e Ditës së Diasporës e cila do të mbahet më 1 dhe 2 gusht në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ata janë dakorduar që gjatë 1 gushtit, tradicionalisht të organizohen homazhe të varrezat e familjes Jashari për bashkatdhetarët, organizim ky i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes së komandantit Adem Jashari, Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Në këtë ceremoni do të merr pjesë edhe ministri i Shtetit për Diasporën nga Shqipëria, Pandeli Majko si dhe personalitete të tjera nga jeta politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.
Ndryshe, 2 gushti në Kosovë është e rregulluar me Ligjin mbi diasporën dhe shënon Ditën e Diasporës.
Gjatë dy ditëve, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, organizon aktivitete të shumta dhe ndër të tjera ndan edhe çmimet për mërgimtarin e vitit si dhe çmimet për gazetarin/storien e vitit për diasporën.
/Epoka e re/