Dibrani: Përkrahja e ShBA-së, jetike për Shërbimin Korrektues të Kosovës

19 gusht 2024 | 14:24

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani është duke marrë pjesë në konferencën e Shoqatës Korrektuese Amerikane, e cila është duke u zhvilluar në ShBA.

Dibrani ka bërë me dije se në këtë konferencë ka takuar drejtuesit e sistemeve korrektuese të shumë vendeve dhe se ka marrë përkrahje nga institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar që në konferencën ndërkombëtare të Shoqatës Korrektuese Amerikane kam takuar drejtuesit e sistemeve korrektuese të shumë shteteve nga ShBA-ja dhe vende të ndryshme të botës. Gjatë takimeve të zhvilluara në ShBA u rikonfirmua bashkëpunimi i përhershëm dhe vazhdimi i përkrahjes nga institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shërbimin Korrektues”, ka shkruar Dibrani në “Facebook”.

Më tutje, ai ka treguar se në Nashville është hapur edhe panairi ku janë duke u ekspozuar pajisjet e sofistikuara të sigurisë.

Me këtë rast, Dibrani ka thënë se përkrahja amerikane është jetike për Kosovën.

“Së bashku me zyrtarët e lartë të ICITAP-it kemi identifikuar pajisje të nevojshme që do të sigurohen për ShKK, si: skanerë, kamera detektuese të telefonave, si dhe shumë pajisje të tjera të sigurisë, të cilat pritet të vijnë në Kosovë gjatë muajit tetor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri kryesor në zhvillim dhe reformë; përkrahja e tyre është jetike dhe vendimtare për Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka shkruar Dibrani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të…