Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Hashim Thaçin
Ish-senatori zviceran, Dick Marty, ka folur edhe njëherë për kërcënimet ndaj tij nga inteligjenca serbe.
Marty, në një intervistë për Radio Televizionin zviceran dhënë të premten, ka deklaruar se kërcënimet për vrasjen ndaj tij kishin për qëllim fajësimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin, raporton ‘Blick’-u zviceran, përcjell Demokracia.
“Qëllimi i kriminelëve serbë ishte që të fajësonin ish-presidentin kosovar, Hashim Thaçin, për vrasjen e tij. Marty supozon se ata ishin njerëz me kontakte në shërbimet sekrete serbe. Sepse Serbia kishte frikë se Thaçi nuk mund të sillej para drejtësisë”, thuhet në artikullin e ‘Blick’.
Ai e ka parë me shqetësim mos-ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve zvicerane kundrejt qeverisë serbe pas kërcënimit që mori.
“Por me sa duket ata nuk donin të prishnin marrëdhëniet diplomatike. Nuk e di pse”, deklaroi ndër të tjera ai.
Një hetim nga emisioni “Mise au Point” i radiotelevizionit publik zviceran zbuloi se, që nga dhjetori i 2020-ës, Marty u vendos nën mbrojtje shumë të lartë policore.
Ish-prokurori, këshilltar shtetëror, këshilltar për shtetet dhe raportues për Këshillin e Evropës, i cili është edhe autor i raportit që akuzonte UÇK për krime lufte, është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe.
“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”, pati deklaruar atë kohë Marty.
Artikullin e plotë të Blick mund ta lexoni këtu.