Dida, Çela, Kovaçi apo trinomi i përjetshëm i folklorit
Shkruan: Musli Krasniqi
Aftësia magjike e këngës për të prodhuar nivele emocionesh të pa përshkruara njerëzore ngërthen një forcë të pashpjegueshme. Shijet e njerëzve për muzikën dallojnë, por nevoja për tinguj harmonikë është gjenerale.
Krahas shtrirjes globale që shanre muzikore por edhe grupe këngëtarësh a këngëtarë solo kanë arritur të kenë nëpër periudha të ndryshme, popujt janë angazhuar të krijojnë tërësinë e tyre artistike origjinale, shpesh herë edhe si përpjekje për të projektuar identitetet e tyre etnike e kombëtare nëpërmjet artit e kulturës.
Në këtë kontekst, folklori dhe në përgjithësi kultura përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore identitare që, sipas studiuesve, shumë popuj evropianë e përdorën apo me raste edhe e fabrikuan gjatë procesit të krijimit dhe formësimit të kombeve.
Populli shqiptar ndërkaq zotëron një thesar të pasur autokton të kësaj tërësie kulturore, gojore e të shkruar. Veriu i etnikumit shqiptar apo gegëria posedon vëllim dhe cilësi të mëdha të kësaj krijimtarie popullore, e ruajtur dhe e avancuar përgjatë brezave.
Pavarësisht ndarjes kufitare midis Kosovës dhe Shqipërisë për mbi 40 vjet, reportoari i këngës folklorike i Shqipërisë së veriut dhe Kosovës është i ngjashëm. Rapsodë e grupe rapsodësh të Kosovës kishin dhe kanë emër anembanë veriut të Shqipërisë. Po kaq emocion e ndjesi ngjallin këngët e këngëtarëve veriorë të Shqipërisë në Kosovë.
Ndër më të njohurit dhe më të dashurit edhe sot e kësaj dite mbesin tre rapsodët nga zona e Kukësit, të njohur sipas mbiemrave Dida – Çela – Kovaçi.
Kjo treshe e përjetshme dhe mjeshtërisht e kombinuar i ka dhënë Shqipërisë dhe Kosovës tinguj melodikë e narracion të papërshkrueshëm për ngjarje historike e heronj kombëtarë, si të së kaluarës më të largët, ashtu edhe të historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si të tillë, ata mbesin vlerë e çmuar kombëtare dhe padyshim model i përkryer për rapsodët e rinj.
70-vjetori i lindjes i njërit prej anëtarëve të grupit, Hysen Didës, përbën edhe sinjalin e një faze të rrumbullakësimit të veprimtarisë aktive artistike të këtij grupi të jashtëzakonshëm folklorik, por edhe mesazhin e përjetësisë së krijimtarisë së tyre, të ndërtuar fisnikërisht dhe kombëtarisht për disa dekada.
Hysen Dida, Rrustem Çela dhe Rexhep Kovaçi paraqesin shëmbëlltyrën e artistit të fisëm shqiptar, të atdhetarit të pashoq e të luftëtarit për liri e të drejta kombëtare.