‘Die Welt’: Franca po i vonon 1.8 miliard vaksina për interesa të veta
Gazeta e njohur gjermane, “Die Welt”, duke cituar diplomatë të Bashkimit Evropian (BE), ka raportuar se Franca është duke e vonuar porosinë e BE-së për 1.8 miliard doza të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, të planifikuara për dy vitet e ardhshme.
Kjo gazetë ka thënë se është e paqartë se cila është arsyeja e ngurrimit nga Parisi, por diplomatët kanë spekuluar se Franca mund të dëshirojë që kompanitë franceze të kenë pjesë më të madhe në prodhimin e vaksinave, shkruan “Reuters”.
E përditshmja gjermane ka raportuar se në takimet e fundit rreth porosive të vaksinave, përfaqësuesit francezë e kanë mbajtur pezull vendimmarrjen duke paraqitur pyetje teknike dhe kërkesa për sqarime.
Për shkak të kërkesës masive globale për sigurimin e dozave dhe sa më shumë vaksinave për të rinjtë, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së kanë frikë se mund të bëhet vonë dhe të dështojnë porositë.
“Do të ishte një katastrofë, për të cilën Franca do të ishte përgjegjëse”, ka cituar një diplomat gazeta gjermane.