‘Die Welt’: Serbia po llogarit në Rusinë në kërcënimin që po i bën Kosovës
Gazeta prestigjioze gjermane, “Die Welt”, në një artikull të titulluar “Kosova dhe Serbia: Asi i Putinit në zemër të Evropës“, shkruan se Serbia po llogarit në Rusinë në kërcënimin që po i bën Kosovës.
Më tej, në këtë artikull shkruan se ky përshkallëzim i konfliktit mes dy vendeve hap opsione të reja strategjike për Kremlinin.
“Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga shtete të BE-së që varen nga stabiliteti. Por në mes të luftës në Ukrainë, Serbia po kërcënon Kosovën dhe po llogarit në mbështetjen e Moskës në përshkallëzimin e konfliktit. Për Kremlinin, kjo hap opsione të reja strategjike”.
Madje, mediumi gjerman shkruan se krejt kjo paqëndrueshmëri konfliktuoze mes Kosovës dhe Serbisë i shkon për shtati më së shumti presidentit rus, Vladimir Putin.
“Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës rrezikon të përshkallëzohet sërish. Një person në veçanti përfiton nga paqëndrueshmëria: Presidenti rus Vladimir Putin. Ai është aleati më i rëndësishëm i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Kosovën. Putini dëshiron të destabilizojë Evropën nga brenda”.
“Die Welt” konstaton po ashtu se BP-ja i ofron Putinit mundësinë për ta destabilizuar Evropën nga brenda sa herë të dojë.
“Ballkani Perëndimor i ofron atij mundësinë për ta bërë këtë sa herë të dojë. Kjo mund të jetë gjithashtu e rrezikshme për BE-në, e cila rrethon rajonin”, thekson gazeta gjermane.
Kujtojmë se për ndikimin dhe përfshirjen ruse në konfliktin që po zien mes Kosovës dhe Serbisë kanë folur edhe krerët institucionalë të Kosovës.
Foto ilustrim: Die Welt