Digjet një banesë në Fushë Kosovë, dy qytetarë dhe dy policë pranuan tretman mjekësorë
Një zjarr ka përfshirë një objekt (banesë) sot rreth orës 12:00 në rrugën “Hajrullah Zymi”, në Fushë Kosovë.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo si pasojë e problemeve me frymëmarrje (nga tymi) tretman mjekësor kanë pranuar 4 persona (dy nga ta zyrtarë policor)
“Sot rreth orës 12:00, është raportuar se një objekt (banesë) në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo si pasojë e problemeve me frymëmarrje (nga tymi) tretman mjekësor kanë pranuar 4 persona (dy nga ta zyrtarë policor)”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu ajo theksoi se zjarri është lokalizuar dhe policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.