Digjet një veturë në Podujevë, brenda saj gjenden mbetje kockore të njeriut
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 4 shkurt, prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore.
Sipas këtij njoftimi, Prokurori i Shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjeko-ligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut.
“Më pas, Prokurori i Shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit. Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara për këtë rast, mirëpo Prokurori i Shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardhë tërësisht rastin”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.