Digjitalizohet aplikimi për leje ndërtimi në kryeqytet
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se gjatë janarit do të hyjë në funksion pako e shërbimeve digjitale “e-Leja, e-Përcjellja, e-Nënshkrimi”.
Në njoftimin e komunës është thënë se ky produkt është rezultat i punës së madhe të kryeqytetit për të përmirësuar shërbimet publike, për të qenë sa më transparent, eliminuar vonesat e keqpërdorimet e mundshme si dhe për të bërë qytetin tonë një vend më të mirë për të jetuar.
“Çfarë ndodh tani? Aplikimi online: Tani mund të aplikoni për leje ndërtimi nga shtëpia ose zyra juaj dhe nuk do të prisni më në radhë para sporteleve. Gjithë procesi është i qartë dhe mund të ndiqet hap pas hapi nëpërmjet platformës sonë online. Përpunimi i aplikimeve tani do të jetë shumë më i shpejtë, s’do të prisni kohë të gjatë për përgjigje, dhe nuk keni nevojë të kontaktoni fizikisht me zyrtarët e kryeqytetit. Kjo do të bëjë që çdo ndërhyrje në hapësirat urbane të jetë e lehtë, e shpejtë dhe mbi të gjitha, në përputhje me standardet dhe kushtet që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm urban”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.