Digjitalizohet procesi i raportimit dhe monitorimit të reformave të administratës publike

20 janar 2023 | 11:21

Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës janë reformat e administratës publike, duke përfshirë modernizimin dhe digjitalizimin e sektorit.

MPB-ja ka njoftuar se Qeveria e Kosovës angazhohet për të modernizuar dhe forcuar administratën publike, në mënyrë që qytetarët e vendit të shërbehen siç duhet dhe efektivisht nga institucionet publike.

Muajin e kaluar qeveria ka miratuar strategjinë e re për reformat e administratës publike 2022-2027 dhe planin e veprimit 2022-2024. “Strategjia e re paraqet një vizion të ri të qeverisë për administratën publike, që ka në qendër qytetarin, dhe ndër të tjera fokusohet në digjitalizim, forcimin e llogaridhënies menaxheriale, përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe uljen e barrës administrative”, ka njoftuar MPB-ja.

Për të siguruar zbatimin efektiv të reformave të planifikuara të qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka finalizuar punën për digjitalizimin e monitorimit dhe raportimit për zbatimin e veprimeve reformuese nga njësitë përgjegjëse të qeverisë.

“Kjo do të përmirësojë kapacitetet e qeverisë për të zbatuar masat e planifikuara reformuese në mënyrë efektive, dhe do të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën e zbatimit të reformave të administratës publike. Platforma e re, digjitalizon një proces të raportimit dhe mbledhjes së të dhënave nga njësitë përgjegjëse për zbatimin e masave reformuese, i cili kryesisht bëhej manualisht më parë, gjë që ka ndikuar në cilësinë e të dhënave dhe të raporteve të monitorimit për zbatimin e reformave të administratës publike. Platforma e re i mundëson qeverisë të koordinojë më mirë zbatimin e planit të veprimit për reformimin e administratës publike dhe të rrisë llogaridhënien dhe përgjegjësinë institucionale. Platforma e re digjitale për monitorimin dhe raportimin e reformave në administratën publike, do të menaxhohet nga Departamenti për Reformat e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka njoftuar MPB-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mes legjendave ka vetëm respekt. Cristiano Ronaldo ka postuar disa…