DIJA, PASURIA KRYESORE PËR ZHVILLIMIN E KOSOVËS

13 janar 2018 | 20:47

Afërdita Dervishi

Intelektuali i mirëfilltë, që ka bërë dije sistematike, dhe ai tjetri me diplomë, sado që nuk pajtohen në parim e as nuk ndeshen në rrugët e tyre, për hir të ekzistencës po punojnë bashkë për shtatë palë qejfe. Në këtë kohë, kur na kanë vërshuar gjithandej intelektualët me letër-diploma, dija dhe menaxhimi i saj janë shndërruar në barrë dhe pengesë për zhvillimin, për krijimin dhe ngritjen e burimeve strategjike të zhvillimit të shtetit

Duke i parë dhe duke u marrë me rrjedhat e zhvillimit në Kosovën e sotme, si për inat, nëpër kokë sillet pyetja, athua, ku e kishte mendjen Peter Drucker kur e përmendi “ekonominë e dijes” këtu e 48 vjet më parë?! Si nuk i ra ndërmend këtij kolosi të madh të menaxhmentit, të cilin e quajnë babai i teorisë së menaxhmentit, të thotë “ekonomia e politikës së ditës”, “ekonomia e nënshtrimit” ose “ekonomia e nepotizmit”, apo “ekonomia e amoralitetit”, do të jenë burime strategjike të së ardhmes. Atëherë kjo teori e tij, do të ishte e zbatueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nga sa dihet, menaxhimi i dijes është menaxhimi sistematik i faktorit dije, me qëllim të krijimit të vlerës dhe plotësimit të nevojave programore e strategjike të akëcilës organizatë, apo të akëcilit institucion. Mjeshtëria kryesore e vlerës dije, kësaj vlere që nuk mund të preket, është mënyra e menaxhimit të saj. Dija e menaxhuar mirë, transferohet në mallra, në shërbime dhe në prodhim, përmes punës, kapitalit dhe teknologjisë. Asnjë studiues nuk thotë se transferohet përmes politikës, ose përmes njoftësisë. Edhe Thomas Steward, botuesi i revistës “Fortuna”, kur thotë “Kapitali intelektual është diçka që nuk mund të preket, por ngadalë të bën të pasur”, sa duket për Kosovën, ia ka huqur, sepse kjo lloj dije në Kosovë nuk ka vlerë. Këtu vlen një hipotezë tjetër: “politika dhe lidhja me politikën të pasuron shpejtë dhe të avancon kudo, në pozita të larta udhëheqëse të politikës së ditës, deri edhe nivele akademike. Kjo mënyrë e bërjes dije dhe zhvillim është shumë më lehtë e qasshme, kurse kërkesat janë më të lehta, që përmblidhen në: servilizëm, nënshtrim, humbje dinjiteti dhe lakimi i kurrizit.

Të marrim mendimin e studiuesve më të njohur nga fusha e menaxhimit të dijes, profesorët, Nonaka dhe Takeuchi (1995), të cilët, në studimin e tyre: Companies that create knowledge: How Japanese companies create dynamic innovations (Kompanitë që krijojnë dije: Si krijojnë inovacion dinamik kompanitë japoneze), shpjegojnë dhe vërtetojnë se dija dhe konceptet e menaxhimit të dijes janë faktorët kryesor për zhvillime inovative. Kompanitë japoneze krijojnë dije të re, të cilën e përdorin për produkte, teknologji e shërbime të reja. Kjo qasje e re, e bën Japoninë fuqi ekonomike. Kur të krahasohet kjo qasje e vlerësimit të dijes në Japoni, me vlerësimin që i bëhet dijes në Kosovë, del se as ata, japonezët, nuk e kanë mirë. Në shikim të parë, duket e çuditshme, por është fakt, e faktet janë aq kokëforta sa të mbështesin për muri.

Cila është fuqia e dijes në Kosovë

Arsimimi i mirëfilltë është faktori kryesor për dijen dhe shkathtësitë profesionale. Robin Morgan, aktiviste, poete e politikane e njohur amerikane, dijen dhe informacionin, i trajton si fuqi. Në institucionet që merren me krijimin dhe ngritjen e dijes, kjo nevojë është edhe më e rëndësishme, për faktin se ato janë në shërbim të qytetarëve dhe kanë implikime të drejtpërdrejta në mirëqenien, shëndetësinë, arsimimin dhe jetën e njerëzve. Në vendet ku ka pasur luftë, thuhet se një pjesë e njerëzve nuk ngopen me paratë dhe me femrat, e kjo do rrjet njerëzish, të dëgjueshëm, pa integritet e të sistemuar në pozita kyçe. Shtrohet pyetja, a mund të sjellë kualitet dhe vlerë të matshme, një bartës i këtillë? Çka ndodhë në raste krizash, problemesh të rëndësishme që duan zgjidhje, apo integrim në një sistem të ri me orientim perëndimor?! Në Republikën tonë, janë të pakta rastet kur fiton dija për një vend udhëheqës. Kjo e dhënë bazohet në intervistat me 300 të intervistuar që kanë humbur vendet e punës, ose që janë transferuar, siç del nga një studim imi, por edhe në programet e shumta televizive, ku pasqyrohen vështirësitë e njerëzve për të pasur një punë, ose për t’u avancuar, si dhe në observimet e shkrimeve në gazeta, në rrjetet sociale, si dhe në biseda të zakonshme me miq e familjarë.

Studiues të tjerë, kanë gjetur se, ambienti relaksues dhe respekti ndaj stafit, janë shumë të rëndësishëm për kreativitetin. Në të vërtetë një lider apo udhëheqës duhet të zhvillojë një mjedis të sigurt, në të cilin njerëzit do të ndjejnë se puna e tyre çmohet dhe ata mund të sfidojnë pretendimet e eprorit si dhe mund të shprehin kundërshtimin e tyre, pa friken e ndëshkimit. Në Kosovën tonë, nuk mund të thuhet se është i madh numri i pozitave të rëndësishme të jenë përshtatur me njerëzit e duhur, intelektualë të mirëfilltë, të cilët kanë fuqi mendore veprimi, për t’ju dalë përballë zgjidhjes së problemeve me dijen dhe përvojën e tyre, e cila sigurisht që i sfidon ata, apo i tundon intelektualisht që të jenë kreativë në strategjitë e vendimet e rëndësishme. Në Kosovën tonë dija nuk është fuqi as respekt, për më tepër intelektualët e mirëfilltë janë të nënçmuar e të përulur, ngase ata janë vartësit e pseudo intelektualëve, me ekspres diploma, ngase i kanë udhëheqës e drejtorë. Në këtë vend të vogël, fuqinë më të madhe e ka qyrku i Nastradinit.

Një model zhvillimi me bazë dijen

Sllovakia, e cila u pavarësua në vitin 1993, po e mahnit botën me zhvillimin e saj ekonomik dhe industrial me bazë dijen. Sllovakia, konsiderohet njëra nga ekonomitë me shkallën e rritjes më të shpejtë në BE dhe OECD, e cila për investitorët ka ofruar kushte shumë të volitshme, me taksa të ulëta dhe pa asnjë ngarkesë për dividenta. Në pjesën e parë të viteve të 90-ta shteti kishte një ngecje, mirëpo ata bënë reformat në taksa, në pensione, në shërbimin shëndetësor dhe në mirëqenien sociale. Përmes këtyre reformave, shteti e rregulloi buxhetin, kurse përmes politikave miqësore biznesore, qeveria mbështeti gjallërimin e investimeve të jashtme. Kësisoj, në vitin 2004, Sllovakia hyri në BE dhe më 1 janar të vitit 2009, ju bashkua Eurozonës. Sllovakia ofron bazë të sigurt për zhvillimin elektronik dhe automobilistik, kurse, inxhinieria elektrike është shtylla e dytë e fortë në industri dhe punëdhënësi i dytë, me shkallën e eksportit 67.9% (SARIO Slovak Investment and Trade Development Agency).

Politikat shtetërore janë mbështetur në Ligjin mbi Organizimin e Mbështetjes Shtetërore për Hulumtim dhe Zhvillim (172/2005); “Strategjia Phoenix” dhe Strategjia S&T 2020. Shpenzimet bruto të Sllovakisë në Hulumtim dhe Zhvillim, prej €669.6 milionë euro, paraqet 0.89% të Bruto Produktit Vendor (RIO Country Report, 2015). Financimi i aktiviteteve të reja inovative, bëhet përmes Programit të Kornizës 8-të, të njohur si Horizon 2010; Implementimi i projekteve hulumtuese të lidhura me prioritetet Sllovake dhe projektet e BE-së, në fushën e Hulumtim & Zhvillimi dhe Inovacione, me fokus super-sektorial dhe ndër-disiplinor (bioteknologjia, sektori i energjisë, inxhinieringu i makinave, industria elektronike, teknologjitë e gjelbra dhe teknologjia informative), ku aktivitetet ndërlidhen në sistemin kombëtar të quajtur “Qendra për inovacione, dije dhe transfer teknologjik” me parqe shkencore- teknologjike që kanë për bazë dijen.

Agjencia kryesore financuese Slovak Research and Development Agency, e cila udhëhiqet nga Ministri i Arsimit dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Sllovakisë, në vitin 2016 operoi me një buxhet prej € 1,341,577 milionë, kurse për financimin e projekteve kishte rreth 28 milionë euro. Në vitin 2016 ka financuar 730 projekte në vlerë prej €27,340,672, kurse me €26,003,141 ka vazhduar financimin e projekteve të nisura në vitin 2013-2015 (Annual Report on SRDA, 2016). Ndarja më e madhe e fondeve për projekte, ishte për Universitetet me 65.8%. Universiteti Slovak i Teknologjisë (STU), është më i miri në shtet. Aty, pedagogët e hulumtuesit aplikojnë në projekte hulumtuese përmes granteve dhe qindra kontratave të mandatuara nga bizneset, e që brenda një viti merren me rreth 500 projekte hulumtuese. Por, një ndër aktivitetet kryesore të STU është të shërbejë si universitet administrues, që ka për qëllim gjurmimin e dijes dhe transferin e saj, proces ky që udhëhiqet nga Divizioni i Menaxhimit të Transferit të dijes. Për çdo vit, 500 studentë dërgohen jashtë vendit për studime ose në programe shkëmbimi. Kurse studentët tanë elitë, të Universitetit të Prishtinës, dënohen me uljen e bursës nga 900 në 500 euro. Kjo është edhe një dëshmi se dija nuk ka vlerë në Kosovë.

Pse të përdoret modeli i Sllovakisë

Bazuar në Raportin botëror të konkurrencës 2010-2011, të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, Sllovakia është radhitur në vendin e pestë, në IJD dhe në transferin e teknologjisë, në mesin e shteteve të Evropës. Në vendin e dhjetë, për shpërblime ndaj dijes dhe produktivitetit, kurse për ndikimin e biznesit në rregulloret e investimeve të jashtme të drejtpërdrejta, në vendin e trembëdhjetë. Nga këndvështrimi makroekonomik, janë paraqitur dhjetë faktorët kryesorë, të cilët investitorët duhet t’i marrin në konsideratë për të orientuar në Sllovaki, projektet e tyre investuese (SARIO Slovak Investment and Trade Development Agency): Sllovakia ka lokacion strategjik në Evropë me potencial të lartë eksporti; Stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit; Anëtari me rritjen më të madhe në eurozonë brenda 10 viteve të fundit; Shteti me kushtet më të mira për të bërë biznes në Evropën Qendrore – Lindore, 2004-2011 (sipas Bankës Botërore); Lider i shteteve të Evropës Qendrore-Lindore, në produktivitetin e punës dhe është në top 10-shin e shteteve më punëtore (sipas OECD); Potencial i lartë i projekteve Hulumtuese e zhvillimore; tatimi në dividenta, transfere të pronës së paluajtshme, dhurata, trashëgimi është me zero për qind.

Përfundim

Republika e Sllovakisë, sot, po mahnit botën me ecurinë e zhvillimit. Procesi i menaxhimit të dijes është zhvilluar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me përkrahjen e shtetit, me politika të dobishme, projekte të ndryshme, që kryhen përmes Agjencisë Sllovake për Hulumtim dhe Zhvillim. Prioritetet strategjike të zhvillimit i ka përqendruar në energji, elektronikë dhe industrinë automobilistike. Sllovakia ka arritur të ketë brenda kufijve të saj, kompanitë më të njohura botërore: Microsoft, IBM, Motorolla, Compaq Computers, Volkswagen, Peugeot Citroën, KIA Motors, U. S. Steel Kosice, Sony Foxconn, AU Optronics, Samsung, e shumë të tjera. Këto kompani botërore, ndër të tjera, ofrojnë edhe programe dhe bursa për novatorët dhe specialistët e fushave.

Hapat themelor për këtë shoqëri të ditur, janë aplikimi në praktikë dhe përgatitja e njerëzve për dije, por edhe për ndarjen e dijes mes vete e me te tjerët, përmes ciklit të tërë të arsimimit përgjatë gjithë jetës. Kosova është e pasur me burime njerëzore, e cila krahasuar me vendet e rajonit është më e shëndoshë në kuptim të dukurive devijante dhe, më e rëndësishme, me popullatë të re me afro 64% të rinj nën moshën 30 vjeç. Mosha mesatare e të rinjve, në Shqipëri 33.1 vjeç dhe në Kosovë 26.7 vjeç (Worldstat info, 2006), është indikator shumë i rëndësishëm, që mund të shfrytëzohet për të vënë në praktikë qasjen ndaj shkencës dhe nxitjen e talenteve, sipas modelit të Sllovakisë. Megjithatë për shkak të ngecjes ekonomike, një pjesë e madhe e të rinjve të Kosovës e të Shqipërisë, e shohin migrimin dhe ikjen nga vendi i tyre, në shtetet e jashtme, si të vetmin shpëtim, ngase mundësitë për punë janë të paka. Krahas rinisë, Kosova dhe Shqipëria, kanë pasuri natyrore, mirëpo të dyja këto pjesë të tokave shqiptare, kanë probleme që këto burime t’i kthejnë në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Dy shtetet shqiptare, të formojnë Këshillin Kombëtar të Dijes dhe Transferit të Teknologjisë, nga elitat shqiptare shkencore kudo në botë, të cilin do ta udhëhiqnin me marrëveshje Ministrat e Arsimit, Kryetarët e Akademive dhe emrat më të njohur të shkencës, që kanë emër e mbiemër shqiptar. Në bashkëpunim me institutet dhe institucionet e arsimit të lartë, të ofrohet korniza ligjore për miratim, përmes së cilës do të mundësohet të krijojnë programe atraktive për menaxhimin e dijes dhe transferin e saj. Modeli i Sllovakisë, për dijen dhe zhvillimin e qëndrueshëm është shembull shumë i mirë, ngase faktet dhe përvojat e këtij shteti, kanë dëshmuar se me një qeverisje të mirë dhe me politika të mirëfillta zhvillimore, atraktive e investuese, mund të krijohet një mjedis shumë i mirë, në të cilin shteti ka rritje ekonomike, mirëqenie të qytetarëve dhe në përgjithësi një ekonomi të qëndrueshme. Megjithatë, mbetet në dorën e vullnetit të qeverisë së re, të avancojë fushën e dijes, ose të avancojë qyrkun e Nastradinit.

(Autorja është profesoreshë universiteti, studiuese dhe veprimtare e lëvizjes guerile për çlirimin e Kosovës).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar…