Dikur si opozitar mbështeste grevat e studentëve në Tiranë, sot si kryeministër kalon indiferent pranë grave greviste para Kuvendit të Kosovës.
Të enjten e 21 nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kaloi kush e di për të satën herë, pranë punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë tre muaj që kanë hyrë në grevë në kërkim të pagave më të mira.
Krejtësisht i ftohtë, ashtu si edhe temperaturat e nëntorit që shpeshherë po shkojnë nën zero, kryeministri Kurti ka kaluar pranë vendit ku po grevojnë dhjetëra gra, shkruan Demokracia.com.
Gazetarja e Nacionales e ka “ndjekur” kryeministrin Kurti derisa ka lëvizur nga Kuvendi në oborrin pranë Qeverisë, ku qëndronte i parkuar xhipi i tij i zi, për të marrë një qëndrim për grevën e këtyre grave, por nuk kishte sukses.
Pavarësisht këmbënguljes së madhe të gazetares, Kurti ndonëse ka dëgjuar pyetjet me zë të lartë të saj, ai ka vazhduar ecjen dhe me ndërgjegje të pashqetësuar për gratë greviste që qëndronin në të ftohtë ka shpejtuar hapat për të hyrë në xhipin e tij të zi.
Edhe pse janë kaq afër zyrës së kryeministrit Kurti, askush nga Qeveria e tij apo edhe nga Vetëvendosje, nuk janë afruar për të biseduar me gratë greviste, të cilat po qëndrojnë para hyrjes së Kuvendit që nga vera e këtij viti.
Kurti dhe Vetëvendosje kanë marrë rrugë qindra-kilometra larg Kosovës për të mbështetur greva të tjera edhe jashtë vendit.
Kështu kishte vepruar edhe në shkurtin e vitit 2019 kur personalisht Kurti kishte shkuar në Tiranë për të mbështetur protestën e studentëve atje që kërkonin më shumë të drejta gjatë studimeve dhe lehtësira të tjera buxhetore.
“Në Kosovë kemi ndjekur protestat tuaja. Protesta e studentëve është e drejtë kur pedagogët janë me ta. Arsimimi duhet të jetë falas, për luksin paguhet, kurse arsimi nuk është luks”, deklaronte Kurti nga Tirana me 4 shkurt 2019.
Një vit më pas, në fund të janarit 2021, Vetëvendosje kishte mbështetur kërkesat e minatorëve të Bulqizës dhe protestën e thirrur prej tyre.
“Pasuritë nëntokësore të Shqipërisë janë pasuri publike. Shkeljet e të drejtave të minatorëve janë shkelje mbi të gjithë shqiptarët. I bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë protestë në solidaritet me minatorët e Bulqizës”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes që mbështeste protestën e minatorëve.
Dhe jo vetëm Kurti që kalon pranë grave greviste krejtësisht i pashqetësuar, edhe presidentja Osmani ka vepruar njësoj më 24 tetor 2024, kur kishte kaluar pranë tyre dhe nuk ishte afruar t’i përshëndeste ato. / Demokracia.com