Dikur top-modele, tani jeton rrugëve duke lypur
Dikur ajo ishte një nga modelet më të njohura, një imazh në kopertinën e revistës Vogue. Në kulmin e karrierës së saj fitonte mbi 1 milion dollarë në vit.
Por tashmë Nastasia Urbano, 57 vjeç, është një e pastrehë që jeton në rrugët e Barcelonës.
Supermodelja, që dikur pozonte përkrah emrave si Linda Evangelista dhe ishte imazh i Yves Saint Lauren, tani fle ku të mundet në rrugët e qytetit spanjoll.
Në moshën 20-vjeçare ajo la Spanjën dhe u vendos në Nju Jork për të bërë një jetë që shumë pak njerëz guxojnë edhe ta ëndërrojnë.
“Isha në çdo revistë, më donin të gjithë. Merrja 1 milion dollarë në vit për vetëm 20 ditë punë. Drekoja e darkoja me Jack Nicholson e Andy Warhol. Merrja pjesë në festat e Melanie Griffith dhe Don Johnson. Kisha gjithçka, jetoja si një mbretëreshë”.
Urbano thotë se gjithçka ndryshoi kur u takua me burrin që u bë bashkëshorti dhe babai i fëmijëve të saj.
“Ai nuk më la asgjë, vetëm rrobat e trupit. E vetmja gjë e mirë nga lidhja me të, ishin fëmijët. Pjesa tjetër ishte tmerr. Ai paguante për gjithçka me paratë e mia. Vetëm dy ditë pasi u njoha me të, më bëri që t’i blej një BMW si budallaqe”.
Tani ajo vuan nga depresioni dhe ka vetëm një dëshirë: “Dua të jetoj, jo të mbijetoj. Jam lodhur duke mbijetuar dhe duke lypur. Dua që fëmijët e mi të më shohin. Dua ta marr veten dhe të jem mirë, kështu që ata të jenë krenarë për mua”.