‘Dikush i ka tradhtuar sulmuesit’, banori serb në veri tregon për ngjarjet në Banjskë
Fshati Banjskë vazhdon të mbetet i bllokuar dhe askush nuk mund të largohet e as të hyjnë aty, ndërsa banorët e Mitrovicës së Veriut e konsiderojnë turp atë që dita e djeshme nuk ishte shpallur ditë zie.
Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë ende të pranishme në Banjskë dhe banorët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, thotë për mediet serbe Dejan Nedeljkoviq, banor i Mitrovicës së Veriut, prindërit e të cilit jetojnë në këtë fshat.
“Ata [prindërit] i kanë të gjitha gjërat elementare, Policia e Kosovës u solli ilaçe, ushqime e pije duke iu thënë se kjo mund të zgjasë një orë ose disa ditë dhe se ata duhet të jenë të durueshëm”, shpjegon Nedeljkoviq.
Sipas njohurive të tij, një numër i madh i automjeteve të KFOR-it gjendën në hyrje të Manastirit të Banjskës.