
Dikush la mijëra franga në kutinë postare të një komune zvicerane
Një pikë e buxhetit të vitit 2019 të komunës Kirchleerau, Kantoni Aargau, ka zgjuar kureshtje për misteriozitetin e saj. Nën pikën “Shpenzimet dhe të ardhurat neutrale” thuhet: “Afatet e pritjes për pagesat e ardhura në vitet e mëparshme (paratë në kutinë postare të kancelarisë së komunës) prej gjithsej 3 000 frangash kanë skaduar, në vitin 2017 dhe 2019, kështu që janë regjistruar si të ardhura në këtë llogari”, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”.
Por, a janë hedhur para të gatshme në kutinë postare të zyrës së kësaj komune? Alex Bissola, shefi i Financave, e konfirmon këtë.
Në vitin 2012, për herë të parë, një zarf me 1 000 franga ishte gjetur në kutinë postare, me një shënim: “1 000 franga për kompensim të pagesës së taksës”. Sipas burimit të gazetës, dyshohet për një person të moshuar. Janë bërë përpjekje për ta gjetur këtë dhe gjithashtu janë hulumtuar njerëzit, banorë të kësaj komune, të cilët kishin pasur detyrim ndaj komunës, përcjell albinfo.ch. Në një fshat me 877 banorë, kjo gjë duket e lehtë. “Por ne thjesht nuk mund të gjenim se nga kush kanë ardhur paratë”, thotë Bissola.
Për më tepër, në vend të ndonjë dëshmie për prejardhjen e parave, dy vjet më vonë janë shtuar edhe 2 000 franga të tjera, në të njëjtën mënyrë dhe, sipas burimit, nga i njëjti person. Kështu, nisur nga e dhëna se nga kërkimi mund të hiqet dorë pas pesë vjetësh mungesë të dëshmisë, 3 000 franga tani konsiderohen “para neutrale të komunës”.