Dil voto, dhe mos u nënshtro!
Shkruan: Taulant Malaj
Është tashmë evidente që Shqipëria ka hyrë në një krizë politike të vetëkrijuar artificialisht. Shumëkush thotë se tërheqja e PD+LSI+PDIU nga parlamenti ishte një lëvizje e gabuar taktike, por nëse e sheh kronologjinë e zhvillimeve në Shqipëri e kupton se dalja nga parlamenti, institucioni i vetëm ku përballen alternativat për mirëqeverisje, nuk është një gabim, por pjesë e një plani në mungesë të alternativave qeverisëse normale, dhe demokratike. Kjo për faj të askujt tjetër më shumë sesa për shterpësinë ideore të ekipeve drejtuese të tre forcave politike të përmendura më lart. Nëse shkojmë më tutje, presioni i hapur i Perëndimit ndaj të gjithë atyre që në mënyrë direket, apo indirekte, pengojnë në çfarëdolloj mënyre zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, ka bërë që kambanat e alarmit të bien në selitë e gjithë forcave politike në Shqipëri. Aq i fortë ishte alarmi saqë duket se tashmë ka lënë shurdhër shumë nga drejtuesit e këtyre subjekteve.
Ajo që e bën edhe më alarmante gjithë këtë telekomedi zgjedhore shqiptare është fakti se autoriteti i unitetit kombëtar, sipas kushtetutës së Shqipërisë, është, apo më saktë do duhet të ishte Presidenti i Republikës. Por, ka shumë vite që ky institucion nuk e njeh një dispozitë të tillë. Ka që në kohën e presidentit Moisiu që Presidenca ka qenë mishërimi më i madh i bindjes së verbër ndaj njëshit të partisë ne pushtet, ose kundërshtari i radhës i njërës palë, por jo simbol i unitetit kombëtar, simboli i të qenit mbi palët. Duke mos qenë i tillë, nuk ka as atributet që do i duheshin për të ulur palët për bisedime.
Por a duhet, që në emër të një “paqeje” mes klasës politike të pranohet edhe një goditje tjetër ndaj së ardhmes së vendit?! Një qasje, krahas shumë të tjerave mbase do duhej të ishte JO.
Shqipëria ka plot 28 vjet që endet në anijen politike që lundron mes ujërave të trazuara, jo sepse nuk kishte mundësi të tjera, por sepse klasa politike e këtyre 28 vjetëve, me vetëdije të plotë, dhe në unison me njëri-tjetrin kanë zgjedhur gjuhën dhe zhvillimet konfliktuale për simpatizantët e tyre, por jo për veten. Ndërsa populli është ndarë skajshmërisht në bindjet e tyre politike, që jo rrallë herë degjenerojnë në konflikte personale dhe fizike me pasoja të rënda, klasa politike bashkëpunon në tenderë, licenca, eksporte, kompani fantazma deri edhe në ndarje tregjesh droge dhe kontrolle të grupeve kriminale sipas konceptit të karteleve. Merrni dhe analizoni të gjithë tenderët e dhënë në 28 vjet për të kuptuar se ku kanë përfunduar pjesa më e madhe e atyre fondeve.
Sot, Presidenti i Republikës, është kthyer në simbolin e ndarjes dhe mbrojtjes ndaj njërës palë jo sepse gruaja e tij drejton njërën nga partitë rebele të sistemit demokratik, por sepse me veprimet, gjuhën dhe retorikën e tij ka ngritur tashmë mjegullën që kopeja e ujqërve të 28 viteve kërkon, kope ku edhe ai vetë ka qenë ndër të parët.
Sot, tre partitë rebele po i bëjnë thirrje elektoratit të tyre të përdorin çdo mjet për të penguar zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, zgjedhje të cilat janë mbështetur dhe njihen edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i njëjtë me atë që përkrahu dhe vazhdon të përkrahë reformën në drejtësi, dhe i njëjtë me atë që ka vënë tashmë në listat e “zeza” shumë nga politikanët e Tiranës. Që këto zgjedhje nuk janë normale, dhe jo ato që do duhej të ishin, kjo nuk do shumë për ti kuptuar. Megjithatë, këto zgjedhje duhet të ndodhin sepse përndryshe pranojmë t’i dorëzohemi presionit të njërit kartel kriminal ndaj tjetrit, dhe popullit në vetvete. Sot, një kryetare bashkie, më së shumti e njohur për foton “Si Voltana s’ban ma nana” del dhe sfidon forcën e shtetit dhe natyrisht se përkrahet nga njëri ndër emrat më të njohur të abuzimeve me tenderë në mjekësi. Siç duket harrojnë se në 1996, kur opozita protestonte ishte plaku i PD-së ai që urdhëroi rrahjen masive të opozitarëve; në 1997 ishte plaku PD-së që hapi dhe mbajti hapur kutinë e vrasjeve në Tropojë vetëm e vetëm sepse iu pengua mitingu i tij electoral (mbi 150 persona u vranë thjeshtë për shkak të lojës së ndyrë politike në Tiranë packa se ata asnjëherë s’ishin pasur konflikte më njëri-tjetrin); në 1998 ishte po i njëjti që instruktoi turmat të dalin me tanke nëpër Tiranë dhe të marrin nën kontroll TVSH-në (u kujtohet Spahiu atekohe); në 2000 ishte presidenti i sotëm që me vizitën e tij në Tropojë shkaktoi një viktimë dhe më pas urdhëroi arrestimin e plakut të PD-së (u kujtohen barcoletat për kohën kur shkoi në drejtorinë e policisë); në 2011 ishte plaku i PD-së që për të mbrojtur presidentin e sotëm të zënë mat me video dhe zë duke bërë llogaritë e korrupsionit vrau 4 protestues me duar në xhepa (video përgjime të mjaftueshme për shumë vite burgu, jo si këto audio përgjimet që Basha ia dha BILD-it ku s’ka elementë të veprës penale, apo edhe thjeshtë të bisedohet për blerje votash).
Sot drejtori ekzekutiv i PD-së, se është kthyer në një subjekt biznesi ku me paratë e vjedhura nga bankat dhe fondet e nëntokës ruse paguhen korrierët mediatikë, sfidoi organet e drejtësisë, siç kishte bërë edhe vite më pare kur u akuzua për shpërdorimin e 200 milionë eurove me rrugën e kombit por me raporte mjekësore nuk u paraqit deri sa kaluan afatet hetimore. E sfidoi sepse nuk ka brumë për burrë shteti. E sfidoi sepse ka shpresë se në emër të “paqes” që rrezikohet nga thirrjet e tij dhe Monikës së presidentit, shqiptarët duhet të pranojnë çdo lloj kompromisi politik, çdo lloj sulmi ndaj së ardhmes së tyre, vetëm e vetëm që tu japin kopesë së ujqërve edhe një amnisti tjetër.
Shqiptarët duhet të dalin e të votojnë që të sfidojnë politikën hajdute dhe vëllavrasje të këtyre 28 viteve. Shqiptarët duhet të dalin e të votojnë që nëpërmes votës së tyre të pavlefshme ti japin përgjigjen e merituar klasës politike të të gjithë krahëve se ajo nuk përfaqëson më këtë popull.
Shqiptarët duhet të dalin e të votojnë në mënyrë që ti tregojnë Evropës dhe botës se Shqipëria ka mbetur peng i klasës politikë që ata vetë, ndërkombëtarët, kanë mbështetur sa herë u janë dashur, dhe në kurriz të shqiptarëve.
Shqiptarët duhet të dalin të votojnë dhe t’i shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit për ti dhënë fund njëherë e mirë përçarjes që ka mbjellë klasa politike.
Shqiptarët duhet të bëhen bashkë dhe të shkatërrojnë perandoritë e krimit, vjedhjeve dhe nepotizimit që plaku i PD-së, budallai që qesh, argjendaria dhe floristi, basketbollisti dhe brigadieri, qerosi i mediave dhe vëllezërit e tij mediatikë që lëvizin me erën, kanë mbjell në 28 vite, dikush më pak e dikush më shumë, dikush me dashje e dikush nga injoranca që i karakterizon.