“Dilni 4 orë nga shtëpia”, njoftohen banorët e Durrësit: Lërini dritaret hapur, ulini në tokë televizorët

09 maj 2022 | 17:02

Bashkia e Durrësit ka njoftuar banorët e lagjes nr.13 në zonën e plazhit se ditën e nesërme duhet të rrinë jashtë banesave të tyre për 4 orë, për shkak se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe forcat xheniere kanë planifikuar prishjen me shpërthim të kontrolluar të një pallati 6 katësh në këtë zonë.

Në njoftim thuhet se banorët duhet të lënë banesat rreth orës 12.00 deri në 16:00 dhe të lënë hapur dirtaret dhe dyert e banesave si dhe të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme.

Shpërthimi është planifikuar të kryhet në orën 14:00

“Në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak dhe ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit Tiranë, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës(IMT) në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcat xheniere të ushtrisë Ministria e Mbrojtjes Tiranë kanë planifikuar prishjen me shpërthim të kontrolluar të pallatit 6 katësh, ADC,  në lagjen 13 Plazh, në njësinë administrative nr.5, rruga “David Selenica”, Nr.18, Durrës.

Për arsye sigurie njoftojmë të gjithë banorët e banesave dhe bizneset që ndodhen pranë këtij pallati që ditën e martë, datë 10 maj 2022, nga ora 12.00 deri në orën 16.00 të jenë të larguar nga banesat dhe subjektet e tyre dhe të marrin masa duke lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme. Shpërthimi do të kryhet në orën 14.00”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Megjithëse sot bëhen 13 muaj nga dita kur është zhdukur…