Dimensionet e rrezikshme të një invadimi të përgjakshëm
Fatmir Sejdiu
Sulmi i sotëm i Rusisë ndaj Ukrainës nga pothuajse të gjitha anët, me gjithë egërsinë shënon një kapitull të veçantë të shëmbjes të të gjithë normave ndërkombëtare në raportet midis shteteve sovrane. E dalldisur me rolin e “të gjithëfuqishmes” Rusia mësyri përgjakjen e “fqinjës së padëgjueshme” duke shkelur mbi popullin e saj me qëllim të nënshtrimit dhe poshtërimit duke dhënë kështu mesazhin e egër dhe më anti-njerëzor që ka mundur ta bëjë.
Janë shumë dimensione të këtij sulmi vrastar, që deshëm apo jo ta themi, nga ajo që shihet, fatkeqësisht ka për qëllim përmbysjen e balanceve të rendit ekzistues ndërkombëtar.
Së pari, tash e sa kohë Rusia e Putinit e vetëdijshme për shumë zhvillime brenda për brenda saj, ka ndjekur logjikën e gjetjes se fajtorëve kujdestarë, përkatësisht të të pandëgjeshmëve nga ish “shtëpia e përbashkët” e që tani “për kurban” zgjodhi Ukrainën për ta nënshtruar deri në poshtërim dhë me “fitoren” e vet të lëvizë potezat e ri karshi gjithë botës demokratike e cila mendon dhe vepron ndyshe nga ajo.
Kjo sjellje e saj, nën lidershipin e Putinit, është shembulli më i keq i cili si i tillë do të sjellë pasoja edhe për vet Rusinë, përkatësisht popullin e saj.
Së dyti, pavarësisht se sa “me entuziazëm” Putini mund t’i pret “rezultatet e fillimit” rruga që e ka nisur në përgjakjen e një populli numerikisht jo të vogël dhe me potenciale të veçuara, është rrugë e pa krye. Ajo do të përfundojë me pasoja të dhembshme edhe për atë vet.
Së treti, në këtë rrugëtim vrastar, Putini po përpiqet që sulmin ndaj integritetit të Ukraines sovrane ta arsyetojë me shembullin e pavarësimit të Kosovës e cila kishte kapërcyer nëpër gjithë “rrathët e ferrit” me sakrificën e shumë brezave deri në lirinë e vet.
Kjo është një “përkujdesje për vëllain e vogël” Serbinë duke e ushqyer në vazhdimësi me iluzione me qëllim të mbajtjes së tensioneve në rajonin Ballkanit Perëndimor. Për të mbajtë “ekuilbrin“ e saj, nuk është larg mendësh se Rusia e nxitë një konflikt të ri në këtë pjesë. Fatkeqësisht nën “përkujdesjen” e kësaj logjike nxehen shumë nga ata që kishin përgjakur popujt e ish Jugosllavisë. Kosova me gjak e ka paguar lirinë e vet!
E katërta, gjithë vendet demokratike dhe në veçanti vendet anëtare të NATO-së, duhet ta kenë kuptuar se Putini ka hedhur bastin për të “testuar me gjak” fuqinë e tyre për t’i dalë para kësaj çmendurie.
Mobilizimi i përbashkët për t’i dhënë përgjigje meritore kësaj “prove” kaq të rrezikshme, do të shprehte jo vetëm solidaritetin me Ukrainën dhe popullin liridashës të saj, por njëkohësisht do të funksionojë si barrierë e edhe “vijë e kuqe” e cila nuk mund të kapërcehet.
E pesta, gjithë vendet e dala nga BRSS-ja e dikurshme, përveç atyre që janë “lidhur këmbë e duarsh” deri në poshtërim, e kanë shijuar jetën jashtë tutelës ruse. Ato nuk e japin lirinë e tyre. As Ukraina!