Dimri i vetmisë së madhe?
Albin Kurti
Dihet që Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për “kompromis të dhimbshëm” mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi dhe e ka popullin kundër. Madje, ai nuk ka as platformë me parime për negociata dhe as ekip negociator. Është i vetmuar. Kështu duhet të ngelet, sepse vetëm kësisoj nuk do të ngjajë ai “kompromisi i dhimbshëm” i paralajmëruar. Thaçi medoemos synon një letër nga Kuvendi, një dokument nga Kuvendi, rezolutë apo çka do qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel.
Vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e Kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president. Pse do të ishte ndryshe me rezolutën e ardhshme?! Thaçi do rezolutë pikërisht që të mund ta shkelë atë! Nëse “ligji është si llastiku”, rezoluta është aq më tepër e tillë. Kuvendi që njëmend mbron republikën e demokracinë do t`i bënte rezolutë denoncuese e kundërshtuese Thaçit për shkeljet që ai bëri këtë verë, e jo për vazhdimin e tyre në vjeshtë e dimër. Prandaj, shumë më e fuqishme është mungesa e rezolutës sesa ndonjë rezolutë e fuqishme.
Pas protestës së 29 shtatorit, Thaçi nuk mund të bëjë marrëveshje me Vuçiqin. Kuvendi nuk duhet ta ndihmojë Thaçin me rezolutën që ai do ta bëjë llastik. Populli është me opozitën. Ai nuk i nënshtrohet një njeriu. Duhet të qëndrojmë. Dhe, Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, pa një rezolutë që do shërbente si dhjami për arushën. Ndërkaq, për neve vjen pranvera, e cila nuk e pret dimrin të mbarojë. Kush qëndron, fiton.