Dinamo Zagreb e ka gati ofertën për Grezdën
Eros Grezda në “radarin” e Dinamo Zagrebit. Gjigantët kroatë janë në kërkim të një zëvendësuesi të Soudanit që mund të largohet te Nottingham Forrest.
Në këtë kuadër, sulmuesi shqiptar, që ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit në Kroaci, cilësohet si preferencë e parë. Negociatat pritet të nisin në orët në vazhdim, ndërsa për të bindur Osijekun që të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, drejtuesit e Dinamos së Zagrebit janë të gatshëm të paguajnë deri në 2 milionë euro për kartonin e kuqeziut, raporton “Supersport”. Nga transferimi në klubin më të madh kroat, përfitimet do të ishin të rëndësishme edhe për 22-vjeçarin, pasi mendohet që në rast të gjetjes së marrëveshjes, paga vjetore e Grezdës do të katërfishohej. Përveç përforcimit të ekipit, me afrimin e Grezdës synohet të shlyhet edhe gabimi i bërë gjatë verës së vitit të kaluar, kur djaloshi nga Gjakova u transferua te Osijeku për vetëm 500 mijë euro nga Lokomotiva e Zagrebit, klubi satelit i Dinamos.
Një talent që e kishin përpara syve, por që nuk mori vlerësimin e duhur në ato momente dhe që tashmë vlerësohet si një yll i së ardhmes në kryeqytetin kroat, përkrah emrave si Ante Coriq, Mario Gavranoviq dhe Armin Hodziq. Me Osijekun që po lufton për një vend në kupat e Europës, por edhe të vendosur përballë një revolte të mundshme të tifozëve, drejtuesit e klubit njoftuan se nuk kanë ndërmend ta shesin Grezdën. Megjithatë, nëse oferta prej 2 milionë eurosh do të paraqitej zyrtarisht, akordi do të ishte drejt formalizimit. Nëse kalon te Dinamo Zagreb, ku do t’i bashkohej dy shqiptarëve tjerë Amir Rrahmanit dhe Arijan Ademit, Eros Grezda do të kishte shansin që në këtë sezon të fitonte edhe titullin e parë kampion në Kroaci.