Dinari mbledh sërish javën tjetër në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë
I dërguari special i Bashkimit Evropian (BE) në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që t’i thërras për takim në Bruksel kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq për të vazhduar diskutimet lidhur me çështjen e dinarit.
Në një përgjigje për “reporteri.net”, BE-ja ka konfirmuar se takimi do të jetë javën e ardhshme, por data nuk është përcaktuar ende.
BE-ja ka theksuar se në këtë takim do të diskutohet për një zgjidhje të përkohshme për çështjen e dinarit. “Ndërmjetësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme të çështjeve të shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen në bazë të ideve të paraqitura nga ndërmjetësuesi i BE-së”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.
Më 4 prill ka qenë takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit, i cili ka përfunduar pa marrëveshje. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit të enjten e kaluar, ka thënë se Kosova është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.