Dinari vazhdon të qarkullojë në veri të Kosovës
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilit prej sot (e enjte) nxirret nga qarkullimi dinari serb, nuk i ka penguar qytetarët e veriut të Mitrovicës të paguajnë me dinarë për gjërat që kanë blerë nëpër dyqane të ndryshme.
Milloradi, njëri nga qytetarët e rrallë nga veriu i Mitrovicës, i cili ka pranuar i të flasë para kamerës, ka bërë me dije për “Kosovapress” se është në dijeni për vendimin rreth ndalimit të dinarit, por ka blerë gjërat e nevojshme me dinarë.
Ai ka thënë se do ta respektojë vendimin për dinarin, atëherë kur ta respektojnë të gjithë qytetarët e asaj pjese.
Ndërsa edhe një pronar shqiptar i një dyqani në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës është shprehur se klientët kanë paguar me euro, por serbët më shumë me dinarë.
Situatë e ngjashme rreth qarkullimit të dinarit po mbretëron edhe në komunat e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të banuara me popullatë shumicë serbe.
Ndryshe, autoritetet e vendit thanë të mërkurën se nga 1 shkurti (sot) do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të serbëve, të cilët vazhdojnë ta përdorin dinarin. Ata këtë periudhë kalimtare e quajtën tranzicion të lehtësuar, duke mos precizuar sesa kohë do të zgjasë kjo periudhë e tranzicionit.