Dinë Grabovci, ai që dha gjithçka për lirinë e Kosovës
Lulëzim ETEMAJ
Në 19-vjetorin e rënies
Para 19 vitesh, më 8 maj 1999, kushërinjtë dhe bashkëfshatarët e mi, të Saradranit të Komunës së Istogut, me qëndresën dhe rënien e tyre, me gjakun e derdhur për liri, dëshmuan edhe një herë fuqishëm dashurinë e tyre për Kosovën, për të ardhem e saj të lirë, të cilën po e jetojmë dhe gëzojmë ne sot.
Një ditë më parë, më 7 maj 1999, në ballafaqim me forcat serbe, në lagjen Nurçaj të fshatit fqinjë, Kashicë, bien në altarin e lirisë luftëtarët e UÇK-së, Demush Mavraj, Luan Krasniqi dhe Hamdi Çetta.
Në mesin e të rënëve të 8 majit gjendet edhe i shumëpërkushtuari, njeriu shembullor, që mbi çdo gjë, edhe mbi jetën e tij, e kishte vënë gjithmonë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pjesëtari tjetër i UÇK-së, Dinë Grabovci, vëllai i të cilit, Adem Grabovci, ishte i burgosur politikë 3 herë radhazi, njëherit ishte edhe njëri nga pesë nismëtarët e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve në vitin 1990 në Kosovë dhe më pastaj njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq e bija e tij, në atë kohë studente, Luljeta, ishte poashtu njëra nga pjesëmarrëset më aktive në demonstratat e mbajtura në Pejë si dhe pjesëtaret e para të pajtimit të gjaqeve.
Në vitin 1990, kur Kosova ishte ngritur në këmbë më fuqishëm dhe me më vendosmëri se kurrënjëherë më parë në kërkim të të drejtave të shkelura dhe lirisë së mohuar nga ana e Beogradit zyrtar, shtëpia e Dinë Grabovcit në Pejë ishte shndërruar në njërën nga pikëtakimet më kryesore dhe njëherit edhe më të sigurta të ish-të burgosurëve politikë të kësaj ane.
Aty ato ditë hartoheshin planet dhe ndaheshin detyrat rreth organizimit të demonstratave në Pejë; aty kthehej natën vonë apo dhe mbas mesit të natës për të shqyrtuar rrjedhën e demonstratës së ditës; për të ngrënë dhe për të bërë gjumë, ndërsa mikpritësi me zemër të madhe, Dinë Grabovci, si gjithnjë, krahas pjesëmarrjes së vazhdueshme gjatë ditës në radhët e para të demonstratave, për ç’gjë jo vetëm që ishte torturuar nga policia serbe dhe e kishte vënë jetën sa e sa herë në rrezik, përveç mirëseardhjes së dëshiruar nga zemra në çdo kohë, s’do të harronte asnjëherë, kur brenda ndodheshin ish- të burgosurë politikë, për të dalë përjashta dhe për të bërë roje. Për të bërë roje e organizuar roje. Roje jo me duar në xhepa, por duke qenë i armatosur. Dhe e bënte këtë fare natyrshëm. Krejt në heshtje. Sa që as pjesa dërmuese e të strehuarve, organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave, nuk mund ta kishin diktuar këtë aktivitet të tij.
Duke besuar fuqishëm në rezultatet pozitive të tij dhe duke e konsideruar Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë në vitin 1990, të cilin vendosëm për ta filluar në takimin që kishim mbajtur në odën e tij, me rëndësi të veçantë kombëtare, Dinë Grabovci, të cilin ish të burgosurit politikë dhe veprimtarë të tjerë të çështjës kombëtare në shenjë respekti meritor herë e quanin “Bacë” e herë “Baca Dinë”, nga kursimet personale familjare kishte mbështetur që në nismë Aksionin me 1500 marka gjermane.
Si shumë të tjerë, që patën fatin ta përjetonin përkushtimin e tij ndaj lirisë së Kosovës, zemërbardhësinë dhe përkujdesin e tij shembullor, edhe unë do ta ruaj me gjelozi përjetësisht kujtimin dhe respektin për patriotin e përkushtuar Dinë Grabovci.
Dhe, them se liria dhe pavarësia e Kosovës, shteti i Kosovës, do të mund të ishin një tregim i dëshiruar, një ëndërrr e pa realizuar mbase edhe për gjenerate të tëra me radhë, po të mungonte kombtarizma, gatishmëria dhe përkushtimi shembullor, përfshirë edhe sakrificën sublime, të tillë çfarë e kishin dëshmorët Dinë Grabovci, Demush Mavraj, Luan Krasniqi, Hamdi Çetta si dhe të gjithë të rënët tjerë, bashkëvendas të mi.