Dioqeza Rashkë-Prizren konfirmon se një grup i armatosur ka hyrë në Manastirin e Banjskës
Dioqeza Rashkë-Prizren ka konfirmuar se një grup personash, të maskuar e të armatosur, kanë sulmuar manastirin e Banjskës.
Sipas njoftimit të dioqezës është thënë se ky grup është futur në manastir me një automjet të blinduar dhe se grupi i personave të maskuar e të armatosur po lëvizin nëpër oborrin e manastirit.
“Dioqeza është shumë e shqetësuar pasi sipas informacioneve të fundit, një grup personash të armatosur, të maskuar kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar, duke hyrë në portën e mbyllur të manastirit. Aktualisht në manastir ndodhet një grup pelegrinësh nga Novi Sadi së bashku me igumenin At Danilon me vëllazëri monastike. Për siguri, vëllazëria dhe pelegrinët e manastirit janë mbyllur brenda dhe tempulli i manastirit është gjithashtu i mbyllur. Njerëz të maskuar të armatosur lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh”, është thënë në këtë njoftim.
Dioqeza ka thënë se e “dënon ashpër” dhunën e hapur që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, “duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur”.
Dioqeza Rashkë-Prizren e ka dënuar sulmit e sotëm, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë mbetën të lënduar.
“Dioqeza Rashkë-Prizren dënon ashpër sulmin e fundit të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, afër fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos. Ky është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Dioqeza u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të policit të vrarë dhe sinqerisht shpreson që dy të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, ka thënë Dioqeza Rashkë-Prizren në njoftimin për media pas sulmit të sotëm në veri.