Diplomacia amerikane po favorizon Serbinë
Ish-diplomati amerikan, James Pardew, në shkrimin me titull “Ndërkohë që Covidi ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojëra të fëlliqura në Ballkan”, botuar në “The Hill”, i kërkon Grenellit të mos merret me Ballkanin, se nuk ka kompetencë.
Autori i artikullit, Pardew, oficer karriere në shërbimet ushtarake të inteligjencës, shtron që në fillim të shkrimit pyetjen se cilat mund të jenë interesat amerikane për hir të të cilave diplomacia e administratës së Trumpit është duke destabilizuar Kosovën, “këtë vend të vogël dhe të pambrojtur proamerikan të Ballkanit”, në një kohë që pandemia globale e shëndetit ka kapluar botën? Pse e bën një gjë të tillë ekipi i Trumpit, kur dihet që ShBA ndaloi me forcë Serbinë që të mos kryente gjenocid në Kosovë në vitin 1999?
“Kjo gjë është shumë e çuditshme kur mendon se ShBA-ja ka luajtur rolin kryesor në dhënien e pavarësisë Kosovës dhe që nga ajo kohë Kosova ka qenë vendi më proamerikan i Evropës”, shkruan më tej Pardew, i cili e njeh mirë rajonin, ku ka shërbyer edhe si ambasador në Bullgari. “Sot, shkruan ai, diplomacia amerikane favorizon Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë në rajon”.