Diplomacia brilante e Kohl-Genscher për ribashkimin e Gjermanisë

02 tetor 2020 | 23:08

Shkruan: BASHKIM ZENELI

Më 29 shtator 2010, 4 ditë para 20-vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, në rrugën “Rudi Dutschke”, pranë shtëpisë së famshme botuese “Axel Springer” u përurua në një ceremoni solemne një piedestal i madh në mermer. Mbi të u vendosën të punuara në bronz tri koka të mëdha: ajo e Helmut Kohlit e George Bush dhe e Mihail Gorbaçov.

Vepra e mrekullueshme e artistit francez me famë botërore, Serge Magnin, titullohet “Baballarët e Bashkimit”. Nga rënia e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989, deri në ribashkimin e Gjermanisë, më 3 tetor, u deshën vetëm 326 ditë.

Askush nuk e parashikonte se do të ndodhte kaq shpejt… As vetë Kancelari Kohl, ideatori dhe udhëheqësi i procesit të ribashkimit. Nuk do të ndalem në të gjitha aspektet e problemet që duheshin zgjidhur për të arritur ribashkimin.

Ato janë të shumta: politike, ekonomike, ushtarake, juridike, administrative, të traktateve e të marrëveshjeve, të raporteve me fuqitë fituese, të raporteve me Bashkimin Sovjetik etj., etj. Do të ndalem vetëm në atë veprimtari të pashembullt, brilante, diplomatike të Kancelarit Helmut Kohl dhe ministrit të Jashtëm, Hans Dietrich Genscher.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Kinkel, do të shkruante në kujtimet e tij se: “Kancelari Kohl ishte i vetmi që me një qartësi të rrallë shihte qëllimin e ribashkimit, i sigurt në realizimin e tij.

Ai dinte se çfarë duhej bërë, çfarë mund të bëhej dhe mbi të gjitha se çfarë sillte edhe një vonese, se çfarë pengesash duheshin kapërcyer. Ai ishte plot fuqi. Ai ishte vizionar”. Ato ditë të pararënies së Murit, as në Uashington, as në Moskë dhe në asnjë vend aleat perëndimor nuk flitej për ribashkimin e Gjermanisë.

“Duhet të dridhemi një ditë nëse RFGJ dhe RDGJ do të mund të bashkohen”, shprehej Presidenti francez, Miterran, ai burrë i madh shteti, që më vonë do të mbështeste pa asnjë rezervë ribashkimin gjerman. Në RDGJ, edhe mbas Murit, udhëheqja komuniste nuk fliste për ribashkim, por për “politika të rinovimit” e më vonë për “raporte kontraktuale” me RDGJ. Kryetari i CDU në Lindje, njëkohësisht zv.kryeministër në RDGJ (më vonë Kryeministër), do të shprehej se “e konsideroj socializmin si një ndër vizionet më të bukura të mendimit njerëzor”.

RDGJ ishte e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, që kishte në atë vend mbi 500 mijë trupa ushtarake. RDGJ ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, që ende nuk ishte shpërbërë”. Polonia fqinje trembej shumë se mos ndryshonin kufijtë Oder-Neise. Në Moskë flitej për “respektimin e të drejtave të RDGJ”, por edhe të “katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore”. Marrëveshja e Potsdamit ishte në fuqi.

Britanikët, deri në fund kundërshtues të ribashkimit, shprehen se “ribashkimi nuk është aspak aktual” dhe se “më mirë dy Gjermani se një e bashkuar”. Kryeministri izraelit, Jitzhad Shamir, shprehej se “ne nuk pranojmë ndryshimin e statusit të Gjermanisë, unë nuk besoj se një ditë do të vijë bashkimi gjerman… Ne nuk mund të harrojmë se çfarë na kanë bërë gjermanët kur ishin të fortë ushtarakisht… Nëse ata përsëri do të kenë mundësinë të jenë shteti më i fuqishëm në Europë dhe ndoshta në botë, do të përpiqeshin të bënin përsëri”. Vetëm Presidenti Bush flet hapur për të “drejtën e popullit gjerman për t’u ribashkuar”.

Ai mbështet “të drejtën e Gjermanisë për vetëvendosje, bashkim, paqe dhe liri dhe mendoj se përsëri mund të ecë më shpejt nga sa ne e presim”. Ky ishte një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm për Gjermaninë, për Perëndimin, për edhe me shumë rëndësi për Moskën. Para ishte takimi shumë vendimtar i Bushit me Gorbaçovin në Maltë.

Kancelari Kohl, ato ditë para samitit të Maltës, hedh idenë e një konference 2+4; të dy shteteve gjermane dhe katër fuqive fituese. Nis aksioni… Gorbaçovi dërgon në Bonn këshilltarin e tij diplomatik, Nikolai Portugalov.

Ai kërkon të dijë si i mendonte Kancelari Kohl raportet gjermano-gjermane, çfarë drejtimi do të merrnin ato… Ai i thekson Kancelarit: “Moska mund t’i hapë rrugë krijimit të një konfederate gjermane, ndoshta edhe si hap i parë drejt ribashkimit”. Kohl entuziazmohet për këtë qëndrim të Moskës. Vetëm dy javë kishin kaluar nga rënia e Murit dhe ministri i Jashtëm, Genscher, do të vizitonte Uashingtonin, Moskën, Parisin, Londrën.

Në një mbledhje të Parlamentit Europian në Strasburg, Kancelari Kohl, me shumë guxim, do të deklarojë se “Bashkimi i gjermanëve do të arrihej kur të kapërcehej ndarja e kontinentit tonë të vjetër” dhe se “politika për Gjermaninë dhe politika për Europën, janë dy anë të së njëjtës medalje”. Dhe ai i kërkon Parlamentit Europian që të miratojë një rezolutë ku të thuhej qartë se “gjermanët e RDGJ kishin të drejtën e tyre të ishin pjesë e një Gjermanie të bashkuar dhe një Europe të bashkuar”.

Kjo ishte një fitore e rëndësishme diplomatike e Kancelarit. Më 28 nëntor 1989, vetëm 20 ditë mbas rënies së Murit, Kancelari Kohl i paraqet Bundestagut planin prej 10 pikash si “Plani i Ribashkimit Gjerman”. Ai u prit me entuziazëm nga deputetët.

Tani sfida drejt një Gjermanie të Bashkuar ishte e hapur, më e madhe se kurrë, e qartë, por sigurisht edhe aspak e lehtë… Kohl vë në dijeni, po ato ditë, për Planin e tij Presidentin Bush dhe udhëheqësin sovjetik, Gorbaçov.

Ata kishin tekstin përpara. Nëpërmjet ambasadave të tyre do të vinte në dijeni edhe Parisin, edhe Londrën. Kohl i kërkon Presidentit Bush që ky plan të diskutohej me Gorbaçovin në Maltë, më 2-3 dhjetor. Ai u kërkon gjithashtu që të “mbështetet Presidenti Gorbaçov në rrugën e tij të reformave dhe veçanërisht që kishte deklaruar të përfunduar teorinë e Brezhnjevit për të drejtën e ndërhyrjes së Traktatit të Varshavës në një vend tjetër dhe se kishte deklaruar të drejtën e çdo shteti e çdo populli për vetëvendosje”.

Pas Samitit të Maltës, këshilltari i Gorbaçovit, Andrej Gratshorn, do të deklaronte se “çështja gjermane qëndron në axhendën e ditës, edhe nëse një mur i madh politikanësh, në Lindje dhe në Perëndim, nuk e dëshirojnë atë… Jo vetëm kaq: Gorbaçovi dërgon menjëherë në Bonn zv.kryeministrin sovjetik, Ivan Silajev, që ripërsërit në parim të drejtën e ribashkimit.

Kohl i telefonon Gorbaçovit dhe e falënderon… I telefonon edhe Presidentit Bush dhe e vë në dijeni për bisedimet me të dërguarin e Gorbaçovit. Flet në telefon edhe me Presidentin francez, Miteran, që ndodhej në Athinë dhe i shpreh keqardhjen që nuk kishte komunikuar paraprakisht me te “për planin prej 10 pikash”, por edhe shton se “nëse RDGJ dhe RFGJ vendosin demokratikisht drejt ribashkimit, atëherë unë nuk shoh asgjë shqetësuese”.

E mbështesin pa rezerva Kryeministri spanjoll, Felipe Gonzales dhe ai hungarez, Nemeth. Kryeministrja britanike, Thatcher, e revoltuar që nuk u pyet paraprakisht, deklaron se “Ribashkimi i Gjermanisë nuk është aspak në rendin e ditës”. Mbas këtyre qëndrimeve, Genscheri ndërmerr një pas një disa udhëtime në kryeqytetet më të rëndësishme të Europës.

Shkon në Londër e më pas në Paris. Bashkëbisedimi me zonjën është shumë i vështirë. Ajo i përmbahet qëndrimit se “ribashkimi gjerman është një rrezik i madh që prish status-quon”. I vënë menjëherë në dijeni për këtë qëndrim, Kancelari Kohl shprehet se “do të bisedoj me Bush, ajo do t’u bindet amerikanëve”. Ndërsa në Paris, Presidenti Miteran i thotë Genscherit se “përfundimisht ne nuk mund të ndërmarrim luftë kundër Gjermanisë për të penguar ribashkimin”. Nga Parisi, Genscher shkon në RDGJ dhe pikërisht në qytetin e tij të lindjes, në Halle-Salle. Mbi 100 mijë gjermanolindorë brohorasin për ribashkim… Kancelari Kohl bisedon gjatë në telefon me Presidentin Bush, para takimit me Gorbaçovin në Maltë, më 2-3 dhjetor.

Udhëheqësi sovjetik kishte shfaqur rezervim se “gjermanët u shpejtuan me shume sesa duhet në kohë”. Ne Malte, Bush e bind Gorbaçovin se “nuk do të ndodhë asgjë jorealiste që të çojë në hapa mbrapa”.

Menjëherë pas përfundimit të takimit të Maltës, Bush fton në rezidencën e ambasadorit amerikan në NATO, në Bruksel, Kancelarin Kohl. Ai i thotë se “Gorbaçovi ka qëndrim miratues për ribashkimin”.

Presidenti Bush, në 4 dhjetor, mbledh në Bruksel kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të NATO-s dhe i vë në dijeni për përfundimet e Maltës, 1 ditë më parë. Udhëheqësit e 16 vendeve të NATO-s mësojnë nga Bush se Gorbaçovi i kishte thënë se “historia po e zgjidh çështjen gjermane dhe ne e mbështesim të drejtën e popujve për vetëvendosje”.

Ai u kërkon atyre që të mbështesin fuqimisht Gorbaçovin jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht dhe financiarisht në rrugën e tij të reformave. Edhe Gorbaçovi menjëherë mbledh udhëheqësit e vendeve të Traktatit të Varshavës dhe u kërkon “mbështetje në procesin e ribashkimit gjerman”.

Në RDGJ, e gjithë byroja politike me Egon Kreuz në krye, jep dorëheqjen. Kryeministri i ri, Hans Modrov, shprehet se “tani edhe ne duhet të mendojmë ndryshe për ribashkimin”.

Tani, diplomacia dhe politika në Bonn punojnë me një intensitet edhe më të madh. Nuk duhej humbur kohë. Sidomos nuk duhej humbur kohë me Moskën. Gorbaçovi kishte pengesa të mëdha nga kundërshtarët e tij ne rrugën e reformave. Por ai duhej ndihmuar vendosmërisht edhe me ndihma financiare. Genscher shkon në Moskë dhe vë në dijeni Gorbaçovin për vendimin e qeverive gjermane për një ndihmë të menjëhershme ekonomike dhe financiare.

Gorbaçovi e falënderon dhe i deklaron se “e ardhmja e Gjermanisë është ribashkimi… Gjermania është shembulli më i mirë për bashkëpunimin midis vendeve me sisteme të ndryshme”. Kancelari Kohl e konsideron një “sukses të madh takimin e Genschrit me Gorbaçovin”.

Disa ditë më vonë, Kohl takohet në Paris me Presidentin Miteran. Ai e vë në dijeni mbi takimin me Gorbaçovin në Kiev, ku ai kishte mbështetur bashkimin gjerman, por kishte shfaqur dyshimin për kufijtë me Poloninë, duke kërkuar mosndryshimin e tyre… Genscher menjëherë shkon në Varshavë dhe me udhëheqësit më të lartë polakë garanton mosndryshim të kufijve të Oder-Neise në një Gjermani të bashkuar.

Ai e siguron për nënshkrimin e marrëveshjeve paraprake. Asnjë çështje nuk zvarritet e jo më të lihet në heshtje…. Thatcher vazhdonte që të shfaqte kudo rezervat e saj për ribashkimin. Kohl shkon në Londër dhe i rithekson Kryeministres britanike se ndryshe nga sa shprehej ajo, Gjermania e bashkuar nuk do të jetë asnjëherë forcë destabilizuese.

Thatcher i kishte thënë Presidentit francez, Miteran, se “dy herë i kemi mundur gjermanët dhe tani ata po ngrenë krye përsëri”. Madje, i kishte shfaqur dyshimin edhe se “Gjermania e bashkuar mund të marrë edhe Çekosllovakinë dhe mund të dominojë në Europë”.

Kancelari Kohl debaton gjatë me Kryeministren britanike dhe i hedh poshtë si “absurde” deklarimet e saj. Hollësisht për këto qëndrime, Kohl vë në dijeni Presidentin amerikan, Bush, i cili i sugjeron se “edhe me britanikët, çdo gjë do të shkojë mirë”. Dhe ashtu ndodhi; më 22 shkurt 1990, për herë të parë, Thatcher do të deklaronte se e “pranon ribashkimin gjerman, por se nuk duhet nxituar…”. Ndërkohë, Kancelari gjerman bisedon në telefon me udhëheqësin sovjetik, Gorbaçov, dhe i dërgon menjëherë edhe një letër, ku i kërkon që të “bindë udhëheqësit gjermano-lindorë se rruga e vetme ishte ribashkimi i dy Gjermanive…”.

Dhe pas pak ditësh, Gorbaçovi i telefonon dhe i thotë se udhëheqësit gjermano-lindorë janë të bindur për këtë…. Atëherë, më 19 dhjetor, Kancelari Kohl ndërmerr udhëtimin e parë në RFGJ. Shkon në Dresden, në qytetin e Kryeministrit Modrov. 200 mijë qytetarë në shesh do të brohorisnin:

“Ne jemi një popull, ne duam bashkimin”. Mbas 3 ditësh, më 22 dhjetor, Kancelari Kohl vjen përsëri tani në Berlinin Lindor dhe bashkë me Kryeministrin Modrov, marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Portave të Brandenburgut. Mbas kthimit, Kancelari Kohl mbledh kabinetin qeveritar dhe kërkon mbështetje pa rezerva, ekonomike, financiare dhe teknike për RDGJ.

Ai vazhdon të mbështesë fuqimisht edhe Bashkimin Sovjetik dhe i deklaron Presidentit Miteran se “pa Gorbaçovin procesi i reformave në Europën Lindore e sidomos në RDGJ nuk do të ishte i suksesshëm”.

Të dy burrat e shtetit gjykojnë se duhet të ndikojnë tek aleatët e tyre për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik “që rruga e guximshme dhe e veshtirë e nisur, të mos ndërpritet nga kundërshtarët konservativë e dogmatikë”.

Në një bisedë telefonike të 29 janarit, Presidenti amerikan, Bush, e falënderon Kancelarin Kohl për “qëndrimet e matura dhe të pjekura në rrugën drejt ribashkimit dhe sidomos për mbështetjen nga ana e udhëheqësve sovjetike”. Sekretari amerikan i shtetit, në një takim të fillimshkurtit në Uashington, i thotë Genscherit se “Kancelari Kohl i ka xhepat e mëdhenj”, duke vlerësuar ndihmë ekonomike të pakursyer për Bashkimin Sovjetik”.

Kryeministri gjermano-lindor, Modrov, në ditët e para të shkurtit takohet në Moskë me Gorbaçovin. Udhëheqësi sovjetik, në mënyrë të hollësishme, e vë në dijeni Kohlin me anë të një letre duke e siguruar që të mos shqetësohet për qëndrimet e udhëheqjes gjermano-lindore, që jo rrallë janë të paqarta e kaotike, por që nuk janë aspak kundërshtime të ribashkimit. “Populli gjerman në Lindje e ka thënë fjalën e tij për këtë”.

Tani, si në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe në Perëndim, qëndrimet ndaj ribashkimit gjerman janë të qarta. Kancelari Kohl projekton takimin 2+4; dy Gjermanitë së bashku me vendet fituese të Luftës së Dyte Botërore.

Ato do të përmbanin aspekte të pafundme, por që mbas miratimit të planit prej 10 pikash, Kancelari kishte ngritur një numër të madh grupesh pune që punonin intensivisht. Nga disa aleatë, sidomos nga italianët, holandezët, polakët etj.., u kërkua që formati të ishte më i madh: NATO dhe BE. Kohl e hodhi poshtë; madje nuk pranonte as të thuhej 4+2, por vetëm 2+4 (në dy shtetet gjermane me ju katër fituesit”.

Në këtë çështje, ai ndërmerr hapin e parë me Moskën. Kancelari u kishte thënë që në fillim bashkëpunëtorëve të tij më të afërt shprehjen e Villy Brand se “çelësi i Ribashkimit gjerman është në Moskë”. Më 10 dhe 11 shkurt, Kohl takohet në Moskë me Gorbaçovin. Pak ditë më parë, Presidenti Bush i kishte dërguar një letër Gorbaçovit, me kërkesën e Kohlit, për suksesin e vizitës. Jo vetëm kaq: Bush dërgon dy ditë para takimit Bakerin në Moskë. Kohlit i duhej dhënë mbështetje e plote nga Gorbaçovi.

Tani do të fillonin takimet 2+4 dhe ato ishin tepër specifike dhe jo thjesht një miratim në parim i ribashkimit. Që në fillim të takimit, Gorbaçov e pyet drejtpërdrejt Kancelarin: Kur mendoni se do të realizohet ribashkimi gjerman? Kohl i kërkon udhëheqësit sovjetik që në çdo diskutim të formatit 2+4 të ishin të ndërlidhura aspektet e brendshme me ato të “jashtme të Bashkimit Gjerman” (ishin shfaqur mendime se ato mund të shiheshin veçmas). Ai e sqaron edhe heshtjen e paprekshmërisë së kufijve me Poloninë dhe i ripërsërit se “Gjermania e Bashkuar do t’i përkiste NATO-s”. Asnjë mosmarrëveshje nuk u shfaq në bisedimet e Moskës.

Gorbaçovi i dërgon “Kohlit çelësin e ribashkimit”, do të shkruante shtypi gjerman. Vetëm 3 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Kohl arrin një fitore të jashtëzakonshme. Në Bonn, ai i raporton Bundestagut për bisedimet me Gorbaçovin. Kjo ishte një praktikë tepër institucionale dhe sidomos transparente e Kancelarit. Takimi i parë i nivelit 2+4 nis në Otava, ku merr pjesë ministri Genscher.

Miratohen çështjet e shtruara për diskutim, por del papritur një problem që befason: ministri i Jashtëm holandez, Van der Brock, dhe ai italian, De Michelis, kërkojnë që çështjet më të rëndësishme të ribashkimit të shtrohen për diskutim me të gjithë anëtarët e NATO-s. Dhe Genscher, tepër i revoltuar nga kjo e papritur, shpërthen jashtë stilit të tij të qetë e të butë: “Çfarë kërkoni ju? A jeni ju pjesë e katër fuqive fituese, përgjegjëse për Gjermaninë? A jeni ju ndonjë prej dy shteteve gjermane? Ju nuk jeni asnjë prej të dyve… Britanikët, edhe pse më 22 shkurt përmes Thatcerit do të deklaronin se “pranonin procesin e ribashkimit gjerman”, tani që në tavolinë ishin problemet e formatit 2+4, do të shfaqeshin përsëri kundërshtues.

Në 24 mars, Kryeministrja Thatcher mbledh një grup historianësh dhe u kërkon të shihnin “rreziqet e mundshme të ribashkimit gjerman”. Në ditët e para të marsit, Kancelari viziton Uashingtonin. Ai i flet Bushit për qëndrimet shumë pozitive të Gorbaçovit, duke theksuar se “atë e konsideron përherë e më shumë si një pikënisje vendimtare ne procesin e ribashkimit”.

Flasin edhe për anëtarësinë në NATO të Gjermanisë së Bashkuar dhe e vë në dijeni për disa modalitete të largimit të ushtrisë sovjetike nga RDGJ. Kohl i thotë Bushit se “Gjermania do të përballej me të gjitha shpenzimet për këtë tërheqje dhe jo vetëm kaq…” Presidenti Bush e siguron Kancelarin Kohl se “Zonja Thatcher me siguri që do ta kuptojë mirë tani se ribashkimi gjerman është thjesht çështje kohe”. Për këtë takim në Shtëpinë e Bardhë, Kohl, në biseda telefonike, vë në dijeni Gorbaçovin dhe Miteranin. Dhe përsëri i raporton Bundestagut.

Mbas 58 vitesh në RDGJ, më 18 mars ishin zhvilluar zgjedhjet e para të lira dhe demokratike që nga viti 1932. Ato ishin një triumf për CDU-në e Kancelarit Kohl. Bisedimet e 2+4 vazhdojnë me sukses në Lisbonë dhe në Bonn. Por britanikët shfaqin rezerva, sidomos për çështjen e pranisë së trupave të saj në Gjermani… Kohl dhe Gernscher përsëri fluturojnë drejt Londrës. Thatcher, mbas mesazheve të Bush, dukej më e “zbutur”.

Kohl thotë se “ajo kishte një qëndrim me tri faza në çështjen gjermane: Pas rënies së Murit ajo u përpoq të pengonte bashkimin; pastaj u përqendrua në shtyrjen e bashkimit dhe, më në fund, megjithëse fliste për bashkimin, përsëri nuk ishte konsekuente… Mbas takimit me Thatcer, Kohl i thotë Genscherit: “Thatcher është përfaqësuesja më e denjë e shprehjes së famshme se Anglia nuk njeh miq dhe nuk njeh armiq. Anglia njeh vetëm interesat e saj. Ministri i Jashtëm, Genscher, “punon” në avion. Nga Londra, ai shkon në SHBA dhe Kanada e më pas në Strasburg, Vjenë dhe Bruksel. Çdo ditë afronte ribashkimi gjerman dhe kësaj i duhej shërbyer me vendosmëri. Kancelari Kohl, përveç raportimeve në Bundestag, takohet rregullisht me udhëheqësin e SPD, Joachim Vogel, dhe shefin e politikës së jashtme të SPD, Horst Emke.

I vë në dijeni për çdo hap edhe ato e mbështesin pa rezerva. Kancelarit i vjen një ftesë nga Gorbaçovi për të vizituar Moskën më 30 maj. Dhe para këtij takimi, më 17 maj, ai takohet për konsultime në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush. Kohl e vë në dijeni Presidentin Bush se, mbas zgjedhjeve në RDGJ, Kryeministri i ri, Lothar de Maiziere, është shprehur se “ribashkimi duhej të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Kancelari, para nisjes në Uashington, e kishte ftuar Kryeministrin gjermano-lindor në Bonn dhe qeveria gjermane i kishte akorduar një ndihmë të madhe ekonomike.

Të gjithë ministrat e kabinetit ishin të angazhuar me kolegët gjermano-lindorë për marrëveshje ndihmash në të gjitha fushat. Kohl e vë në dijeni Bushin edhe për gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje me polakët si nga RFGJ, ashtu edhe nga RDGJ, për mosndryshim kufijsh, edhe nga ana tjetër për të garantuar për këtë edhe me një marrëveshje të Gjermanisë së Bashkuar. Nga Uashingtoni, Kohl dhe Genscher, gjithnjë përpara takimit të Moskës, shkojnë në Paris.

Ata marrin mbështetje të plotë nga Presidenti Miteran për takimin e ardhshëm 2+4… Për të qetësuar polakët, Kancelari Kohl i rekomandon një vizitë në Varshavë Presidentit gjerman, Weizaker, së bashku me ministrin Genscher. Dhe qeveria polake e vlerëson shumë këtë qëndrim të përsëritur të Gjermanisë për mosndryshim të kufijve, të rishprehur tani edhe nga Presidenti federal. Para takimit në Moskë me Gorbaçovin, Kohl, nëpërmjet bankave gjermane, i akordon një ndihmë të madhe financiare Bashkimit Sovjetik. Dhe jo vetëm kaq: disa guvernatorë dhe drejtues të bankave, përfaqësues të firmave të mëdha gjermane dhe një grup të dërguarish nga Kohl, vizitojnë Moskën dhe marrin një takim edhe me Gorbaçovin. Udhëheqësi komunist e vlerëson shume këtë akt. Edhe Presidenti Miteran do të vizitonte Moskën para takimit të Kohl me Gorbaçovin.

Midis të tjerash, në një bisedë telefonike, Miteran e vë në dijeni Kohlin se Gorbaçovi i kishte thënë se “…Traktati e Varshavës do të pushonte së shpejti së ekzistuari dhe RDGJ, mbas ribashkimit, do t’i përkiste NATO-s”. Janë ditë dhe orë tepër intensive për diplomacinë gjermane. Ajo punon ditë dhe natë, me seriozitet, me partneritet, me mirëbesim, me kompromise e me transparencë. Gorbaçov viziton Uashingtonin dhe ndër çështjet më themelore që diskuton me Presidentin Bush, është anëtarësimi i Gjermanisë së Bashkuar në NATO, si edhe zgjidhja e menjëhershme e problemeve të brendshme e të jashtme të ribashkimit.

Një fitore e madhe për diplomacinë gjermane do të përbënte ato ditë Samiti i NATO-s në Turnberry të Skocisë. Deklarata pas Samitit shënon se “Gjermania e Bashkuar i përkiste NATO-s dhe se Gjermania angazhohej të përmbushte të gjitha detyrimet e saj në këtë kuadër”. Dorën e fundit të kësaj deklarate e dhanë Baker dhe Genscher. Kohl i telefonon Gorbaçovit për të mos lënë asnjë keqkuptim ne çështjen e ekuilibrave… Vizita e Kohlit në Moskë, me mirëkuptim të plotë, ishte shtyrë… Ndërkohë, në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Brestit, do të takohej Shevranaze me Genscherin.

Aty duhet të ndryshohej historia… Ministri i Jashtëm gjerman sovjetik do të përsëriste të gjitha angazhimet në procesin e ribashkimit, por do të ndalej në periudhën që i duhej ushtrisë sovjetike të tërhiqej nga RDGJ. Duhej, sigurisht, një periudhë kalimtare. Dhe Genshceri mbështet çdo propozim të sovjetikëve për këtë çështje. Në fillim, për tërheqjen e ushtrisë sovjetike do të akordoheshin 1.5 miliardë DM nga qeveria e RFGJ. Vazhdojnë takimet 2+4. Zhvillohen edhe samitet në Dublin dhe në Houston.

Në Gjermani, në Munster, vjen ministri i Jashtëm sovjetik, Shevranadze, në takimin me Genscherin; bisedojnë për një deklaratë përfundimtare në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Londër. Sovjetikët dëshironin që në këtë Samit të merrte pjesë dhe të fliste Gorbaçovi. Dhe Genscheri, duke mos shfaqur asnjë kundërshtim, i premton se do të bisedonte menjëherë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Manfred Verner. Edhe vetë Kancelari Kohl takohet me Verner në Bonn para se të nisej për në Moskë.

Pjesëmarrja e Gorbaçovit dhe deklarata në Samitin e Londrës ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për hapat drejt ribashkimit. Tri ditë para mbërritjes së Kancelarit Kohl në Moskë, gazeta “Ivestija” kishte shkruar se “Bashkimi Sovjetik nuk kishte qenë kurrë më i sigurt se sot për anëtarësimin në NATO të Gjermanisë së Bashkuar”. Kjo vlerësohej shumë.

Para nisjes, në 14 korrik 1990, Kohl i thotë Genscherit se do të sigurojmë Gorbaçovin që do të marrin përsipër “shlyerjen e të gjitha detyrimeve të RDGJ që lidheshin me praninë e ushtrisë sovjetike”. Në aeroportin e Moskës, sapo Kancelari Kohl mbërrin në mbrëmje, Shervanadze i thotë se “ne mund të fillojmë të festojmë që tani së bashku ribashkimin e Gjermanisë, ashtu siç e dëshironi ju!”. Paraprakisht, kjo fliste shumë qartë për bisedimet e Gorbaçovit me Kohlin të nesërmen. Takimi me Gorbaçovin ishte jashtëzakonisht i hapur dhe miqësor.

Ai i propozon që në fillim nënshkrimin e një Traktati të Përbashkët të bashkëpunimit midis Bashkimit Sovjetik dhe RFGJ. Kancelari e mirëpret pa asnjë rezervë. Marrëdhëniet ishin ngritur në mirëbesimin më të plotë. Gorbaçovi vazhdon: “Gjermania do të jetë plotësisht sovrane, pa qenë nevoja aspak për një periudhe tranzitore. Gjermania e Bashkuar t’i përkasë NATOs”. Kohl nuk u beson veshëve dhe më i entuziazmuar si kurrë, i lutet Gorbaçovit që ta përsërisë edhe një herë. Dhe ai e përsërit! Më tej, udhëheqësi sovjetik bën surprizën tjetër. Dokumenti përfundimtar i formatit 2+4 (takimet e Moskës dhe Parisit) do të theksojë qartë se “menjëherë do të bien poshtë, në të gjitha nivelet, të drejtat e 4 fuqive fituese dhe përgjegjësitë e tyre ndaj Gjermanisë”.

Kohl e falënderon përzemërsisht me mirënjohjen më të thellë. Të dy bien dakord për një marrëveshje për tërheqjen e trupave sovjetike, në një afat kohor prej 3-4 vitesh. Për Kancelarin, siç do të shprehet vetë pas takimit, “kishte ndodhur mrekullia”. Nuk kishin kaluar as 10 minuta bisedime. Gorbaçovi e fton Kohlin që tani që nga Moska të shkojnë në Kaukaz. Ata vendosin bashkë kurora në Varrezat e Dëshmorëve. Heqin kravatat dhe bisedojnë lirshëm, të ulur mbi trungje pemësh.

Në mbrëmje, në një konferencë shtypi, nga Arshis i Kaukazit, i bën të njohur botës fitoren e madhe. Jehona ishte e jashtëzakonshme. Gjermania dukej se nuk kishte çfarë të bisedonte më në bisedimet e 17 korrikut, 2+4 në Paris dhe 12 shtator në Moskë, po në formatin 2+4. Ato ishin thjesht një formalitet i domosdoshëm.

Deklarata e 12 shtatorit në Moskë do të fiksonte përfundimisht e shumë qartë mosndryshimin e kufijve me Poloninë. Kohl do të punonte edhe vetë mbi këtë dokument. Më 31 gusht, dy Gjermanitë nënshkruajnë marrëveshjen “Për Bashkimin e Gjermanisë”. Aty, për herë të parë, u fol për të fiksuar 3 Tetorin si ditën e Ribashkimit Gjerman dhe të zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme më 2 dhjetor, në një Gjermani të Bashkuar. Ndërkohë, edhe Kohl, edhe Genscher, nuk i ndërpresin takimet me homologët perëndimorë dhe me sovjetikët. Në Moskë, më 12 shtator, Genscheri do të shprehej: “Atdheu im që sot do të jetë i bashkuar, ne do te jemi një shtet. Mbas një gjysmëshekulli, të gjithë gjermanët do të jenë të bashkuar”.

Askush nuk e kishte menduar kaq shpejt, në 326 ditë mbas rënies së Murit, ribashkimin e dy shteteve gjermane, që do të mblidhen pasditen e 2 tetorit në sheshin para Reichtagut. Kohl nuk do të fliste dot gjatë… Ai vetëm falënderon Bush, Miteran, Gorbaçov, por edhe Tatcher… pavarësisht “kleçkave” të herëpashershme. Presidenti amerikan, Bill Clinton, do të shprehet: “Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte mbas rënies se Murit. Ai i është përgjigjur drejt çdo çështjeje që duhej zgjidhur; dhe i ka zgjidhur drejt për Gjermaninë, i ka zgjidhur drejt për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka zgjidhur drejt për të ardhmen e botës”. …Sot, pas 30 vitesh ribashkim, Gjermania është shteti më i fuqishëm në Europë. Dhe në kontinentin tonë të vjetër, sot të mbushur me shumë probleme, asgjë nuk zgjidhet pa Gjermaninë! Gjithçka zgjidhet me Gjermaninë!

© Panorama.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundi i muajit shtator e fillimi i tetorit e ka…