Diplomacia dhe shërbimet sekrete jugosllave
Kush është Rade Bullatoviqi, i emëruari për ambasador të Serbisë në Maqedoni?
Bardhyl Mahmuti
Raportet e diplomacisë së një shteti me shërbimet e veta sekrete, për një kohë të gjatë, kanë mbetur të fshehta jo vetëm për publikun, por edhe për shtetet përkatëse, ku kishin përfaqësitë e tyre diplomatike. Funksionet e ndryshme, si ai i ambasadorit, i konsullit, i sekretarit të ambasadës, i atasheut e kështu me radhë mbulonin atë që mund të ishte e panjohur për shtetin mikpritës.
Historia e marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare, sidomos gjatë periudhës që quhet Lufta e Ftohtë, është e stërmbushur me dëbimin e diplomatëve, që zbuloheshin se kishin tejkaluar kompetencat dhe ishin marrë me spiunim. Mund të sjellim shembuj të shumtë, por nuk e shoh të rëndësishme këtë, sepse të gjithë shembujt do të na çojnë te përfundimi se diplomatë të caktuar, që ishin në shërbim të shërbimeve sekrete, punën dhe kontaktet me informatorët e tyre e bënin fshehurazi.
Serbia, si në shumë fusha të tjera, edhe në diplomaci bën përjashtim nga ky rregull. Ajo emëroi Rade Bullatoviqin si ambasador të vetin në Republikën e Maqedonisë.
Në të vërtetë, kush është Rade Bullatoviqi?
Nuk do të përmend funksionet e rëndësishme që pati për dekada të tëra në shtetin e Jugosllavisë. Do të përqendrohem në periudhën e pasluftës së Kosovës. Nga nëntori i vitit 2000 e deri në mars të vitit 2003, Rade Bullatoviqi ushtroi funksionin e këshilltarit të Presidentit të Serbisë, Vojisllav Koshtunicës. Më 12 mars 2003, Shërbimi Sekret i Serbisë organizoi dhe kreu vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit, i cili kishte pranuar t’ia dorëzonte Sllobodan Millosheviqin Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, në Hagë.
Në mesin e të arrestuarve për këtë vrasje ishte edhe Rade Bullatoviqi. Pas tre muaj hetimesh, Rade Bullatoviqi u “lirua për mungesë provash” për implikimin e tij në këtë vrasje. Edhe pse “hetuesia dëshmoi se 15 të akuzuarit për atentatin kundër kryeministrit serb ishin zyrtarë aktivë ose bashkëpunëtorë shumëvjeçarë të BIA-s, përveç udhëheqësit të Njësisë për Operacione Speciale, Milorad Ulemek-Legija-s, zëvendësit të tij, Dushan Mariqiq Gumarit dhe shefit të Shërbimit, Radomir Markoviqit, asnjëri nga pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror nuk u largua nga detyra. Përkundrazi, me anë të rokadave dhe të transferimeve të kuadrove nga një drejtori në tjetrën, një pjesë e madhe e pjesëtarëve të këtij shërbimi, që ishin të implikuar në krime, kishin avancuar në funksione edhe më të larta. Në këto avancime, si shpërblim që doli “i pafajshëm” në vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Rade Bullatoviqi u emërua në postin e drejtorit të Shërbimit Sekret të Serbisë (që kishte marrë emrin BIA për të fshehur gjurmët e implikimeve të veta në krimet e shumta).
(Këtë tremë e kam trajtuar gjerësisht në kapitullin e parë të pjesës së dytë të librit “Mashtrimi i madh”. Për hollësi të tjera dhe referencat e burimeve të shfrytëzuara, të interesuarit mund të shohin këtë kapitull).
Pas periudhës zyrtare në krye të Shërbimit Sekret të Serbisë, në vitin 2012 Rade Bullatoviqi u transferua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Dhe tani pritet të vijë në Shkup, si ambasador i Serbisë!
Serbia ka nevojë që, në konteksti historik në të cilin ndodhet Maqedonia, të ketë “mbulesë diplomatike”, për të vepruar me intensitetet edhe më të madh në koordinimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të saj. Kjo mbulesë “diplomatike” i nevojitet, sidomos pas zbulimit të përzierjes së drejtpërdrejtë të shërbimeve sekrete serbe në ngjarjet e 27 prillit 2017, kur u terrorizua Kuvendi i Maqedonisë dhe u krye akti terrorist kundër deputetit shqiptar, Zijadin Sela, i cili është kryetar i Aleancës Shqiptare në Maqedoni.
Nëse institucionet e Maqedonisë e pranojnë akreditimin e Rade Bullatoviqit për ambasador të Serbisë në Maqedoni, atëherë u mbetet gazetarëve hulumtues të përcjellin takimet “diplomatike” të këtij ambasadori, për të bërë publikë emrat e politikanëve, të gazetarëve, të teologëve dhe të “profesionistëve” të fushave të tjera të të gjitha përkatësive etnike. Kjo do të mundësonte të aplikohej “diplomacia preventive”, për të shmangur tragjedi edhe më të mëdha se ajo e 27 prillit të vitit 2017.