Diplomacia e fotove në ‘Instagram’ zhvlerëson seriozitetin e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare
Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasi që ky i fundit publikoi një fotografi ku shihet harta e Kosovës e mbuluar me flamurin serb.
“Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, presidenti i Serbisë Vuçiq, tregon se i pëlqen papajtueshmëria. Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd. Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në Instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka shkruar Majko në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga ‘Instagrami’.
“Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb t’i ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit evropian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në Instagram!”, ka shkruar Majko.