Diplomacia e Kosovës dështoi aty ku nuk duhej e ku ishte më e fortë
Shkruan: Hajdin Abazi
Dje, në të njëjtën ditë, u publikuan dy deklarata interesante, sado qe kontroverse me njëra-tjetrën, por që nxirrnin në suprinë atë që zyrtarisht Kosova përpiqet ta injorojë.
Njëra deklaratë erdhi nga ministrja e punëve të jashtme zonja Donika Gërvalla-Schwarz, e tjetra nga ndihmës sekretari amerikan i shtetit James O’Brien.
Ndonëse, në të dyja rastet fokusi ishte te Kosova, njëra e alegorikisht lente të nënkuptohej se ishte nxjerrë mësimi i duhur nga historia, kurse tjetra deklaratë ishte një kritikë, dorën në zemër, jo e re, e përsëritur, por në një kontekst tjetër.
*
Deklarata e drejtueses së diplomacisë kosovare u bë në ceremoninë e 10-vjetorit të Akademisë Diplomatike.
Ajo ndër të tjera tha: “Historia jonë është dëshmi që përkujton se sa e fuqishme dhe e rëndësishme është diplomacia si një përgjigje ndaj krizave dhe për t’i ndaluar ato. Diplomacia është çelësi i zgjidhjeve të krizave, mbrojtja e nderit të njerëzve, dhe stabilitetit”.
Kjo është, pa fije dyshimi, vërtetë. Asnjë fjalë nuk ka çka i hiqet. E tëra është ashtu. Dhe ishte aq e saktë, sa e lexova edhe një herë se kush e ka thënë sepse diçka nuk shkonte.
E rikonfirmova kështu se njëmend e kishte thënë ajo që mban postin e kryediplomates, vetë ministrja Donika!
E pabesueshme, por e vërtetë.
Ani çka nuk shkon këtu? Ku është problemi?
Ka vetëm një gjë: këtë po e thoshte një ministre në krye të asaj diplomacie të shtetit tonë, që nuk ka arritur as dhe një sukses për të thënë pikërisht në diplomaci.
E ka thënë ajo qe me të ardhur në pushtet u dakordua me kryeministrin dhe presidenten për ta goditur – pikërisht diplomacinë! Dhe e goditi rëndë: me qasje nihiliste, për interesa partiake, pa analiza, pa procedura, pa vlerësime dhe pa asnjë selektim, largoi ambasadorë e diplomatë.
Goditje me e madhe nuk i ishte dhënë diplomacisë, që prej se ishte themeluar në vitin 2008. Dhe kjo i ka dërguar qysh atëherë sinjale botës se po amortizohet e paralizohet diplomacia e Kosovës, ndërkohë që diplomacia serbe ishte në aksion full fart kundër Kosovës.
Rrjedhoja?
Në vend të fokusit në diplomaci aktive, sensibilizuese e lobuese, diplomacia e ministres Donika preokupohej me rekrutimin e stafit, gjë që mori shumë kohë, sa që duket sikur ende nuk e ka marrë veten nga ajo “fshesë pamendësie”.
Rezultati?
Pikërisht në sferën diplomatike Kosova i mori goditjet që veç Serbia mund t’i dëshironte dhe që veç asaj i shkonin për shtati, goditje që erdhën si pasojë e veprimeve gjoja për të ndryshuar qasjen, për t’u dalluar nga qeveritë e kaluar dhe për të demonstruar mundësinë abuzuese të pushtetit. Por për këtë u zgjodh fusha më e gabuar – diplomacia. Mund të dallohesh nga e kaluara dhe për të ndryshuar qasjen, kur ke një plan, një vizion, një strategji dhe kur i ke bërë parapërgatitjet. Në vend të kësaj, kryediplomatja, kryeministri e presidentja vepruan partizantqe: “a mundemi, e bëjmë”.
Ajo që erdhi më pas qe një degradim i raporteve me aleatët strategjik, në radhë të parë ShBA. Nuk vonoi edhe me BE nisën kundërshtimet. Për shkak të veprimeve me rrezik për eskalim konflikti midis Serbisë e KFOR-it e në instancë të fundit vendeve euroatlantike e që ishin në kundërshtim me gjeostrategjinë ShBA-BE, Kosovës iu vunë sanksione.
Kjo gjendje është ende aktuale: Kosova ndodhet nën sanksione, ani se ato po quhen masa.
Nuk e di se me çka mund të krenohet kryediplomatja në diplomacinë e Kosovës nën udhëheqjen e saj?
Ose të paktën, një sukses relevant të vetëm në këto katër vite?
Nuk besoj të jetë aq e lajthitur sa ta konsideroj si sukses thuaja largimin nga Procesi i Berlinit, sa e bënë shtetin prej nga vjen ajo, Gjermaninë, të kërcënojë hapur Kosovën me izolim!
Aferat korruptive e skandalet janë çështje tjetër që nuk po merrem me to kësaj here. Gabimet e së kaluarës ministre nuk mund të zhbëhen, ato po i vuan Kosova dhe t’i duhet t’i kesh peng në ndërgjegje!
*
Deklarata tjetër, ajo e James O’Brien, Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike.
Ai e tha troç: “.. se a janë gjërat të koordinuara apo jo… unë kam folur publikisht se sjellja e Prishtinës për t’u mos u koordinuar me ne dhe NATO-n nxit dyshime se ajo qeveri më shumë është e interesuar për të treguar fuqi se sa për të mundësuar jetë normale”, tha O’Brien në një intervistë për RTS-në në Beograd.
O’Brien po e thotë hapur se Qeveria e Kurtit nuk po koordinohet me ShBA dhe me NATO-n lidhur me veprimet në veri. Dhe për këtë kurrë kryediplomatja nuk ka pasur një qëndrim të saj, për t’u distancuar ose për t’u dalluar, por në heshtje ka pranuar politikat e kryeministrit të cilat kishin shumë implikime. Ajo nuk mundet të dalë, nga asnjë pozicion, e të thotë se ka vepruar ndryshe ose ka insistuar ndryshe. Në fund të fundit, duhet pasur pak dinjitet: nëse njëmend nuk pajtohesh, nuk është kiamet e as fundi i botës të japësh dorëheqje për një çështje kaq të madhe.
Veprimet e pakoordinuara me ShBA dhe NATO, sikurse po e thotë O’Brien, ishin me pasoja lokale po se po; por, sikurse e kam thënë më parë, ato ishin veprime me frekuenca minuese te gjeostrategjisë ShBA-BE-NATO: një konflikt në veri do t’i konvenonte vetëm Rusisë e edhe Vuçiqit, por kurrsesi gjeostrategjisë perëndimore dhe aspak Kosovës.
Dhe O’Brien e thotë një vlerësim që më tepër është një akuzë: Qeveria e Kosovës
më shumë është e interesuar për të treguar fuqi se sa për të mundësuar jetë normale”. Ç’domethënë kjo?
Kosova e interesuar të tregojë fuqi, por në mënyrë të gabuar e bënë këtë. Sado të armatoset Kosova nuk mundet t’ia kalojë Serbisë e cila ka industri të armatimit dhe po ashtu blen me miliarda euro armë të sofistikuara, pra nuk mundemi (në gjendjen e tashme) të bëhemi fuqi ushtarake sa të frikësohet nga ne Serbia.
Fuqia e vërtetë e Kosovës nuk qëndron te ushtria dhe armatimi (sigurisht nga kjo nuk rrjedhë se nuk duhet të kemi ushtri dhe të armatosemi). Jo. Forca jonë qëndron te fakti se në Kosovë është NATO-ja e dislokuar dhe ka përgjegjësinë e sigurisë së kufijve tanë. Fuqia e vërtetë e Kosovës është vetëm sinergjia me ShBA dhe NATO, kontributi ynë në gjeopolitikën euroatlantike dhe te konstruktiviteti ynë duke u koordinuar për gjithçka. Ne duhet të jemi me fat që ShBA e NATO janë të gatshme të na ofrojnë mbështetje, dhe të na tregojnë se kur duhet vepruar e kur jo, që mos t’u japim atë pretekst që e kërkojnë luftënxitësit në Ballkan.
Duhet të përjetohet si një shuplakë për qeverinë: “nuk është e interesuar për jetë normale” në veri dhe me minoritetin serb. Këtë nuk po e thotë Vuçiqi, as opozita e as kritikuesit tuaj, por po e thotë O’Brieni. Dhe kjo demanton të gjitha pretendimet e qeverisë Kurti 2 se gjoja është përmirësuar gjendja në veri.
Dhe më tej, zhveshja e farsës diplomatike të Kosovës: “ka disa pasoja për Kosovën, më e madhja ishte që vende të mëdha të Evropës nuk votuan që Kosova të inkuadrohet në institucionet e tyre. Kosova mbetet mbrapa krahasuar me vendet tjera ballkanike. Krejt kjo ndodh për arsye se ata marrin disa vendime të pakoordinuara”.
Një diplomaci e Kosovës që nuk koordinohet me ShBA dhe NATO, dhe këtë tash po e thotë O’Brien, njëlloj sikurse e thoshte edhe Escobar. Krejt deklaratat se mirë i kemi punët me ShBA dhe me NATO, u demantuan, u përgënjeshtruan.
Në vend se të forcoheshin raportet e ndërsjella me ShBA dhe me NATO, si një vazhdimësi e shumë dekadave, mësimi që është nxjerrë nga “historia jonë” nuk është ajo që tha kryediplotmatja, por e kundërta: ftohja, zvetënimi, refuzimi deri te moskoordinimi. Më shumë se kaq, nuk mund të shkonte mbrapshtia politike e as diplomatike.
Dhe a mund të merret me mend, se ku do të përfundonte Kosova, sikur të hiqte dorë ShBA dhe NATO nga Kosova?
Është koha e fundit që kryediplomatja dhe kryeministri te reflektojnë dhe të kthehen në sinergjinë me ShBA dhe me NATO, të sinkronizimit për gjithçka.
Ardhja e drejtorit të CIA-s e ndali marrëzinë politike të Kurtit për hapjen e urës së Ibrit pa koordinim me ShBA e NATO që do të ishte një debakël shtetëror e diplomatik, sepse Vuçiqi e kishte planin me gënjeshtrën për “eksodin serb” nga Kosova, qe me veprimin e pakoordinuar sikurse përgatitej të veprohej, do t’i ngjante së vërtetës dhe do t’i shërbente si një pretekst fenomenal që as peshku i artë nuk do të mund t’ia dhuronte.
Edhe biseda e O’Brien do të duhej ta bënte edhe Albinin e edhe Donikën të kuptonin se në konstelacionet e tashme gjeopolitike e gjeostrategjike globale kur luftërat po shpërthejnë gjithandej, dhe Serbia nxit e i frynë zjarrit, nuk mundet kryeministri si knus në kerr të kokoriset si të dojë e kryediplomatja t’ia mbajë ison, po se duhet sinkronizuar detajisht me ShBA dhe NATO.
Po cili është roli i kryediplomates në këtë mes, që thotë se ka nxjerrë mësim nga historia e Kosovës, përveç se ke bërë deklarata ndonjëherë kontroverse e ndonjëherë edhe fyese? E di se është e vështirë ta pranosh, por ty ndoshta do të të kishte shkuar disi posti i ministres së kulturës, sepse posti i diplomacisë të ka ngecur në fyt, sepse e ke bërë të dështojë diplomacia e Kosovës aty ku ishte e fortë dhe ku e ka forcën shtytëse çdo sukses i yni në këto tri-katër dekada e fundit: raportet bashkërenduese me ShBA para së gjithash por edhe me NATO-n.