Diplomacia ekonomike prezantohet në Malishevë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Besnik Hotin, drejtorin e Departamentit për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya, dhe zyrtarin për Integrime Ekonomike, Turkesh Dalifi, me të cilët kanë biseduar për projektin e ministrisë për diplomacinë ekonomike.
Hoti e ka njoftuar kryetarin Begaj për projektin e kësaj ministrie për diplomacinë ekonomike dhe integrimin ekonomik të Kosovës.
Ndërsa drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya, e ka sqaruar në tërësi projektin e MPJ-së, rëndësinë që ka ky projekt në raport me zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndikimin e rëndësinë e nivelit lokal.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka njoftuar zyrtarët e MPJ-së me kapacitetet që ka kjo komunë, sidomos në fushën e bujqësisë, turizmit, si dhe rreth kushteve të mira që ofron për investitorët që duan të investojnë.
Gjatë këtij takimi, Begaj dhe zyrtarët e MPJ-së janë pajtuar për bashkëpunim të ndërsjellë me qëllim të promovimit të ofertës së Komunës së Malishevës, në raport me investitorët e mundshëm.
/Epoka e re/