Diplomacia në “letargji”: Katër vjet pa asnjë njohje të shtetit
Kosovën e ndajnë më pak se shtatë muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare. Shkurti- 2025, është muaj që përkon me katërvjetorin e marrjes së pushtetit për herën e dytë të kryeministrit, Albin Kurti. Dhe, përderisa në horizont shfaqen pritje të reja nga e ardhmja e afërt zgjedhore, nuk mbesin anash as zotimet nga e kaluara jo fort e largët.
“Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar”- ishte vetëm një nga zotimet me të cilat hypi në fron Qeveria Kurti 2, që me fjalë tjera do të thotë ngritja dhe jehona e emrit Kosovë nëpër botë. Katër vite pas, vendi nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje të re, e as të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare më me nam të kësaj kohe.
Drejt zgjedhjeve të reja vendi po shkon pa marrë ulëset në Këshillin e Europës – organizatë për të drejtat e njeriut kjo, që ishte ndër temat më pikante në rrafshin e anëtarësimit, por që mbeti në një farë heshtje zor të shpjegueshme. Përafërt, Kosova nuk arriti as të sigurojë njohje të reja, e veçmas as nga pesëshja e BE-së: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Katër të parat janë edhe anëtare të NATO-s.
Edhe pse Spanja ua hoqi vizat qytetarëve kosovarë, Kosova ende nuk arriti të fitojë njohje prej saj. Në anën tjetër, marrëdhëniet me Greqinë u përafruan disi nëpër disa takime zyrtare mes prijësve shtetërorë, por jo me ndonjë vulë mbi letër që mund të çonte deri te njohja. Sa për Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë, nuk u përmend ndonjë përafrim, pos që qëndrojnë si emra shtetesh në pesëshen e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
Bile, Sllovakia u përmend më së shumti së fundmi, duke e lidhur vetëm me prejardhjen e zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, i cili kohëve të fundit kryefjalë pati “Kosova të zgjidh problemet vetëm përmes dialogut”. E, më parë, përsëri me të njëjtën arsye, ky shtet u përmend si vendlindja e ndërmjetësuesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Njohjet dhe organizatat ndërkombëtare kanë një emërues të përbashkët, rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë e vendit. Sa më shumë shtete që t’ia njohin shtetësinë Kosovës, rritet mundësia që shteti të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, gjithashtu të jetë më e mbrojtur nga faktori ndërkombëtar.
Për të vlerësuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës gjatë katër viteve të fundit, KALLXO.com ka bashkëbiseduar me dy njohës të fushës së diplomacisë dhe proceseve politke, e që njëri prej tyre ka qenë vetë pjesë e këtyre proceseve në vitet paraprake.
Ish-ambasadori i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci vlerëson se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës ka mbetur përafërsisht aty ku ka qenë para katër viteve, me një dallim regresiv, pasi tani Kosova është edhe nën masat e BE-së, të cilat institucionet europiane ia vunë Kosovës në qershor të vitit të kaluar.
Peci, në një bashkëbisedim me KALLXO.com, thotë se janë dy arsye kryesore të kësaj ngecjeje të cilat janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Njëra në raportet me aleatët dhe tjetra, mosgatitshmëria për ta filluar procesin ligjor për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“E para ka të bëjë me ftohjen e marrëdhënieve me vendet kyçe perëndimore, për shkak të një numri të veprimeve pa konsultim dhe koordinim paraprak të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit”- tha Peci.
Ndryshe, beson profesori në Universitetin e Winchesterit në Angli, Seb Bytyçi, i cili vlerëson se ka një forcim të subjektivitetit të Kosovës në katër vitet e fundit.
“Ka një forcim të subjektivitetit të Kosovës për shkak të liberalizimit të vizave, pjesëmarrjes në grupin për përkrahje të Ukrainës si dhe vizavi Serbisë për shkak të zbatimit të marrëveshjeve për targa dhe letërnjoftime si dhe arritjes së marrëveshjes Bruksel-Ohër ku premtohet njohja de fakto edhe pse kjo nuk është zbatuar”- tha Bytyçi për KALLXO.com.
Njohjet që s’u panë
Janë bërë katër vite prej kur Kosova ka pranuar njohjen e fundit të shtetësisë së saj. Edhe pse në programin qeverisës në pjesën e dedikuar për diplomacinë, fjalët ishin ndryshe, ndryshe doli të jetë pas gati një mandati.
Në programin qeverisës 2021-2024, zotohej se Qeveria do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Peci, njëherësh drejtori i Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, KIPRED, thotë se Kosova nuk ka mundur të ecë përpara me njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare pë shkak të raporteve të përkeqësuara me vendet kyçe perëndimore, të cilat ate e shohin gjithnjë e më pak si partner të besueshëm.
“Kosova pa përkrahjen perëndimore, nuk ka kapacitet që të bëjë ndonjë hap në këtë drejtim. Në vend që të ecim përpara, ne tani po bëjmë thirrje që të kthehemi aty ku kemi qenë më parë, pra kërkojmë të na hiqen masat e BE-së”- tha Peci.
Në këndvështrimin e tij, kjo gjendje është ilustrimi më i mirë i pozitës së tanishme të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndërkaq, profesori Bytyçi thotë se Kosova bazohet te shtetet mike për njohje dhe nuk ka iniciativa të pavarura.
“Ngjashëm (Kosova bazohet te shtetet mike për njohje) është edhe me anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Përparimi në këto dy fusha është kushtëzuar me përparim në krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”- tha Bytyçi.
Izraeli është shteti i fundit që ka njohur Kosovën. Ky vend e kishte njohur mëvetësinë e Kosovës më 1 shkurt 2021, në kohën kur shkurtazi Qeverinë e udhëheqi Avdullah Hoti, pas tri vitesh pa asnjë njohje. Avazi i njëjtë ka vijuar edhe në vitet pasardhëse.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike që u kurorëzua me një ambasadë në Tel Aviv, ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator 2020.
Në këtë vit, nën mandatin e Qeverisë Kurti, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit kaluan në një nivel tjetër, pasiqë kjo e fundit hoqi vizat për qytetarët kosovarë.
Kosova nuk ka arritur njohje as nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë – me këtë të fundit edhe ka ngecur dialogu i ndërmjetësuar nga BE.
Deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 vende. Vrulli i madh i njohjeve ka qenë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Me kalimin e viteve ra edhe numri i tyre, edhe pse dy vite pas mëvetësisë, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se “pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”.
Ndërmjet viteve 2008 dhe 2014, Kosova siguronte mesatarisht rreth 12 njohje në vit. Një gjë të tillë besohet se e ka vështirësuar edhe Serbia e cila në vitet e fundit ka bërë edhe fushatë për çnjohjen e Kosovës, jo vetëm për shtete, por edhe për t’ia pamundësoj Kosovës që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Ulëset që Kosova ende nuk i zuri
Një përpjekje e paarritur, duket se do të mbes anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës në këtë mandat të Qeverisë Kurti.
Kjo nuk është e vetmja organizatë që nuk u anëtarësua Kosova në këto katër vite, pasiqë deri më tani nuk u anëtarësua as në dy tjera të cilat mëton të bëhej pjesë, OKB dhe NATO.
Fajin për mos-anëtarësim në Këshillin e Europës, ish-diplomati Peci ia hedh mos-gatishmërisë e Qeverisë së Kosovës për ta filluar procesin ligjor për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Me të cilin (nisjen e procesit për krijimin e Asociacionit) vendit tonë do i sigurohej statusi i një shteti të pranuar europian, dhe do t’i hapej rruga për konsolidimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar në hemisferën Euro-Atlantike”- shtoi Peci.
Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, mekanizëm tejet të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, Qeveria i dha dritën e gjelbër Kadastrit të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronën 24 hektarëshe për Manastirin e Deçanit.
Një gjë e tillë ishte parakusht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Por, edhe pse ky vendim ishte marrë më 13.03.2024, pak javë para hapit të dytë drejt anëtarësimit në këtë organizatë, Kosova përfundimisht nuk arriti të bëhej anëtare.
Kështu ndodhi për shkak se për hapin përfundimtar për anëtarësim Kosova u kushtëzua që të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-raportin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në mungesë të plotësimit të këtij parakushti, çështja e Kosovës mbeti jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, edhe pse ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz mori një vendim të vonë, duke dërguar në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Kjo temë u mbyll në maj dhe shpresat mbesin për majin 2025 kur edhe fillon sesioni pranveror i Asamblesë së Këshillit të Europës.
Pas vendimit të parafundit për Kosovën në Këshillin e Europës ku ishte votuar suksesshëm raporti i Dora Bakoyannis, autoritetet serbe kishin formuar një ekip, për të penguar anëtarësimin e Kosovës.
Një gjë që bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Në lidhje me këtë fushatë të Serbisë, edhe në vitin 2021, një hulumtim i KIPRED, kishte vënë në pah se Rusia, përmes deklaratave, konferencave për shtyp dhe artikujve të ndryshëm ka bërë fushatë agresive kundër Kosovës në mënyrë që të dëmtojë shtetësinë e Kosovës.
Në programin qeverisës, shkruan se Qeveria do të angazhohet për zgjerimin e gamës së organizatave në të cilat është anëtare, avancim në statusin e anëtarit të barabartë brenda organizatave dhe avancimin e interesave shtetërore në kuadër të kornizës institucionale, si dhe forcimin e rolit si kontribuues për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, gjatë këtij viti, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Pro këtij vendimi kanë votuar shumica e vendeve anëtare, një ka qenë kundër dhe 14 kanë abstenuar.
Anëtarët e asociuar, në këtë rast edhe Kosova, mund të paraqesin dhe të kërkojnë ndryshime në rezolutat e Asamblesë Parlamentare (AP) të NATO-s.
Veç kësaj, shtetet me këtë status, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Mirëpo, këto shtete nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e AP të NATO-s dhe as të nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri ishte angazhuar për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë.
Pasi Rusia kishte nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Përveç këtyre, Serbia ka penguar që Kosova të anëtarësohet edhe në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Pavarësisht vështirësive Kosova është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Federatës Botërore të Futbollit, Federatës Europiane të Futbollit, Komitetit Olimpik, Organizatës Botërore të Doganave, Marrëveshjes për Tregti të Lirë e Europës Qendrore.
Ndërkaq, Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillimit të Europës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.
A po zbehet dashuria ndaj Amerikës?
Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Europian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me ShBA-në, shkruan në programin qeverisës 2021-2025.
Marrëdhëniet me ShBA-në gjatë këtij viti kanë qenë të “luhatshme”, ose të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarët amerikanë, sa herë që autoritetet kosovare kanë ndërmarrë ndonjë aksion në veri të vendit, apo së fundmi për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Lulzim Peci thotë se gjendja e Kosovës në rrafshin diplomatik është shumë e rëndë.
Ai thotë se ShBA-ja dhe shtetet e QUINT-it janë duke e trajtuar Kosovën brenda modusit të menaxhimit të konfliktit, dhe jo të avancimit të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë këtu edhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
“Kosova që pas shpalljes së pavarësisë, realisht asnjëherë nuk ka qenë më e izoluar nga perëndimi, që është edhe rezultat i politikës tonë”- shton Peci.
Në rrethana të tilla, ai vlerëson se efektet e diplomacisë kosovare në rastin më të mirë janë shumë të limituara.
Në muajin shkurt, Kosova ishte përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me ShBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.
Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, kishte thënë prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as ShBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.
Përndryshe, në programin qeverisës të pushtetit të tanishëm, shkruan se prioritet i politikës të jashtme do të jetë zgjerimi i partneritetit me ShBA-së në aspekte të ndryshme, krahas partneritetit politik do të thellohet bashkëpunimi në rrafshin e sigurisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe diplomacisë publike.
Profesori Bytyçi, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët i sheh nga një prizëm tjetër.
Ai thotë se Kosova e ka gjetur veten në një situatë të vështirë kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe se lufta e la faktorizuar Serbinë e cila shet armë dhe municion në Ukrainë.
“Kurse frika e perëndimit nga destabilizimi ka rezultuar që përpjekjet e Kosovës që t’i zbatojë marrëveshjet e mëhershme me Serbinë dhe ta shtrijë autoritetin në veri të shihen me skepticizëm dhe si lëvizje që sjellin jostabilitet në kohën kur fokusi është në Ukrainë”- tha ai.
Prandaj, sipas tij, Kosova gjendet në një “vallëzim” delikat me perëndimin përderisa përballet me Serbinë që e ka përkrahjen e sigurtë nga Rusia dhe Kina.
Për Kosovën, Amerika është partneri i saj kryesor në çdo fushë prej kur ky shtet u bë shkaktar për ndaljen e luftës në Kosovë në vitin 1999.