Diplomati austriak në Hagë: LDK-ja e shihte UÇK-në si rivale, Thaçi kishte presion të jashtëzakonshëm në Rambuje

28 maj 2024 | 16:13

Ish-diplomati i njohur austriak, Jan Kickert, ka filluar të martën dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në mesin e pikave më të diskutuara, ishte raporti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, situata deri në marrëveshjen e Rambujesë dhe takimet e diskutimet që kishte Kickert me eprorët e UÇK-së.

Duke folur për raportet mes LDK-së dhe UÇK-së, Kickert ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e shihte UÇK-në si rivale. Sipas tij, në fillim edhe Grupi i Kontaktit kishte dilema për ta përfshirë UÇK-në.

“Po. Kishe hezitim nga disa diplomatë amerikanë për të përfshirë UÇK-në. Ishte qëndrim i Grupit të Kontaktit. Rusët nuk e donin të përfshirë UÇK-në”, ka thënë Kickert.

“A iu kujtohet nëse LDK-ja ka pasur kërkesë për përjashtimin e UÇK-së?”, e ka pyetur avokati Misetiq, dëshmitarin.

“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim mohuan ekzistencën e LDK-së. Kishte përplasje, fërkime”,  ka thënë ish-diplomati austriak.

“Kur thoni LDK nuk kishte qasje miqësore, për çka e ki fjalën?”, e ka pyetur sërish avokati Misetiq, dëshmitarin.

“Ishin rival politik”, ka thënë dëshmitari Kickert.

“Pse LDK-ja e perceptonte UÇK-në si rival?”, e ka pyetur përsëri avokati i Thaçit, dëshmitarin Kickert.

“Kërcënim ndaj monopolit të tyre politik”, u përgjigj diplomati.

Më tutje, mbrojtja e Thaçit ka shprehur interesim rreth raportit të Thaçit me Grupin e Kontaktit.

“A do të thonit ju që Thaçi ishte personi që po tentonte të gjente zgjidhje politike apo ushtarake?”, e  ka pyetur avokati, dëshmitarin, raporton “Nacionale”.

“Ai ishte pika jonë e kontaktit për zgjidhje politike”, ka thënë diplomati austriak.

Pyetjet e radhës ishin për presionin në të cilin gjendej Thaçi, gjatë konferencës së Rambujesë.

“Roli juaj në Rambuje ka qenë të ndërlidheshit me delegacionin e Kosovës, dhe t’i raportonit ambasadorit Petritsch. Keni thënë që përshtypja juaj ka qenë se para nënshkrimit, Thaçi duhej të konsultohej me disa njerëz, dhe nuk guxonte të nënshkruante pa folur me ta?”, ka pyetur Misetiq.

“E saktë”, është përgjigjur dëshmitari Kickert.

Misetiq e pyeti për një raport autorial diplomatin e njohur.

“Është raport që kam përpiluar në fund të bisedimeve në Rambuje. Në kllapa kam shkruar se Thaçi nuk ishte të merrte përsipër përgjegjësinë”, tha Kickert.

“Më poshtë thoni që ai nuk ishte në gjendje të merrte përgjegjësinë mbi supe që i ishin vënë nga ndërkombëtarët dhe komandantët në terren?”, e pyeti avokati Misetiq.

“Kjo ishte përshtypja ime, ai ishte në komunikim telefonik dhe ajo që vërejtëm, vlerësimi ynë ishte se ai ishte në presion të jashtëzakonshëm të mos nënshkruante marrëveshjen”, deklaroi Kickert.

“Kush ia bënte presionin?”, pyeti avokati.

“UÇK-ja dhe Adem Demaçi që ishte përfaqësues politik. Sollëm fituesin e Nobelit për letërsi ta bindim, por ai nuk ishte në pozitë ta nënshkruante”, tha diplomati austriak.

“A e dinit pse komandantët refuzonin nëshkrimin?”, ishte pyetja e avokatit.

“Përfshinte edhe zhbërjen e UÇK-së”, deklaroi ai.

Problemi kryesor pse komandantët e zonave ishin kundër të nënshkruhet marrëveshja në Rambuje, ndërlidhej me zhbërjen e UÇK-së.

“Ai kishte rrezik të shihej si tradhtar i UÇK-së. Nuk ishte i sigurt as për jetën e tij kur të kthehej. Ishte në presion të lartë, dhe nuk ishte në pozicion të merrte vendime”, tha diplomati austriak.

“Ishte në presion të jashtëzakonshëm nga të gjitha anët”, deklaroi ai.

“Thaçi nuk kishte autoritetin të nënshkruante në emër të UÇK-së?”, ishte pyetja e radhës nga mbrojtja.

“E saktë”, deklaroi dëshmitari.

Kickert kishte punuar kohë të gjatë në Kosovë, edhe si këshilltar i Wolfgang Petristich.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave, sot, ka zhvilluar…