Diplomati austriak: Nuk dinim për strukturën e UÇK-së më 1998, amerikanët e cilësonin si të shpërndarë
Diplomati austriak, Jan Kickert, ka thënë se ata dinin shumë pak për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa ka pohuar se amerikanët u kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë.
Këtë deklarim, dëshmitari Kickert e ka bërë pasi avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ia ka prezantuar një kabllogram të 27 qershorit 1998, të cilin vetë dëshmitari e kishte shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Keni shkruar: Struktura komanduese e UÇK-së ngelet si diçka misterioze sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA). Megjithëse, UÇK-ja vepron duke përdorë emër si shtabi i përgjithshëm e në pamjen e Shteteve të Bashkuara është një strukturë e shpërndarë horizontale dhe struktura koordinimi. Kjo do të ishte problematike për të përfshirë UÇK-në në politikë. A ju kujtohet nga ku ju ka ardhur ky informacion?”, ka thënë Mishetiqi.
Por, dëshmitari ka thënë se kjo gjë ishte thënë në takimin e Grupit të Kontaktit.
“Ka ardhur nga amerikanët. Nuk e di kush ishte i pranishëm gjatë takimit. Në qoftë se mund të shoh titullin e raportit pak më sipër ishte takim i grupit të kontaktit të misioneve. Ndoshta ka qenë ambasadori amerikan, zëvendësmbasadori që e ka dhënë këtë informatë”, ka thënë Kickert.
Sipas tij, mund të ketë qenë edhe ndonjë atashe ushtarake, ndërsa ka thënë se vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme me anëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme.
“Ne nuk dinim shumë, pak fare. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresiv, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë”, ka thënë ai.
Më tutje, Kickert ka theksuar se kishte ndjesinë se zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë.
“Në atë kohë, ndjenja ime ishte që ishte një qendër në rajonin e Drenicës, por jo që detyrimisht UÇK-ja në pjesën perëndimore të Kosovës në zonën e Dukagjinit për shembull ishte në të njëjtën strukturë apo e centralizuar në të njëjtën strukturë”, ka thënë Kickert.
Përpara kësaj, dëshmitari ka thënë se nuk kanë qenë shumë të interesuar për strukturën e UÇK-së në verën e vitit 1998, por që interesi i tyre ishte që të gjenin dikë që ta përfshinin në procese politike.
“Ne, donim që të kontaktonim me persona që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe të përfshiheshin në procesin politik. Sigurisht që për të gjetur dikë që kishte kompetencë dhe autoritet në emër të UÇK-së dhe që mund të flisnim do duhej që ai të kishte informacion të përgjithshëm mbi UÇK-në”, ka thënë ai.
Diplomati Kickert ka pohuar se në verën e vitit 1998 është takuar me diplomatin Richard Holbrooke dhe që në njërin prej këtyre takimeve kishte thënë që nuk dihej që UÇK-ja nëse ka ndonjë zinxhirë të brendshëm komandues.
“Besoj që amerikanët kishin më shumë informacione inteligjencë sesa ne. Amerikanët kishin një prani në Prishtinë, kishin edhe një Shërbim të Informacionit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, që ne evropianët nuk kemi pasur prani të vazhdueshme atje. Kështu, që si e kemi kuptuar situatën ne atëherë ishte që prezenca apo prania e Shteteve të Bashkuara përfshinte edhe pjesën e informacionit inteligjent ose informimit në përgjithësi”, ka thënë dëshmitari Kickert.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert i është prezantuar një fotografi, në të cilën është thënë se shihej delegacioni i Rambujesë, e që ishte gërvishtur ish-presidenti Ibrahim Rugova. Gërvishtja pretendohet se është bërë nga Jakup Krasniqi.
Pasi dëshmitari identifikoi që ka identifikuar që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori ka kërkuar që kjo provë të pranohet në prova materiale.
Por, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, prokurori John Capin, ka thënë se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë dhe armiqësisë që ka pasur i akuzuari ndaj Rugovës.
“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, ka thënë prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.
Përpara kësaj, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e ka kundërshtuar mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.
Ellisi ka thënë se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.
“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujenë, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, ka thënë Ellisi..
Ai gjithashtu ka thënë se kjo fotografi nuk ka asnjë provë se s’i ka përfunduar në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas tyre relevanca është shumë e vogël.
“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar… Në ç’kushte është gjetur kjo fotografi në shtëpi të Krasniqit. Ne mendojmë që efekti cenues dhe paragjykues që ka kjo fotografi është tepër i dëmshëm edhe nuk ka asnjë vlerë provuese”, tha Ellis.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se kjo fotografi do të pranohet në prova materiale e që vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.
Personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografinë për të cilën është diskutuar në seancë, ishin Xhavit Haliti, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Skender Hyseni, e të tjerë.
“Xhavit Haliti, Skender Hyseni, Ibrahim Rugova, Ramë Buja, Blerim Shala, Veton Surroi, Fehmi Agani, është edhe dikush tjetër nga opozita këtu dhe krejt në të majtë Jakup Krasniqi dhe Hidajet Hyseni”, ka thënë ai.
Përpara kësaj, dëshmitari ka pohuar se ka kontaktuar me Hashim Thaçin përmes telefoni në vitin 1998 dhe 1999.
“Kam supozuar që ai më kontaktonte me telefon satelit. Më thirrte në telefonin tim celular dhe kam menduar se po përdorte telefon satelit se telefonat celularë në atë kohë në Kosovë nuk qëndronin në të gjithë territorin”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e ka parë ndonjëherë atë që të përdorte telefon satelitor.
Prokurori është fokusuar gjithashtu edhe për një sërë takimesh që kishte pasur dëshmitari me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin në korrik të 1998-ës për të cilat tregoi cili ishte qëllimi i tyre si diplomatë.
“Qëllimi jonë ishte të identifikojmë një person të UÇK-së që do të ishte në gjendje të përfshihet në procesin politik dhe të ishte me autoritet në emër të UÇK-së”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk dinin asgjë për UÇK-në se si funksiononte.
Ndërsa, për një takim tjetër i cili ishte mbajtur në janar të 1999 lidhur me lirimin e pesë ushtarëve serbë, dëshmitari ka thënë se ka qenë takim i gjatë për shkak se anëtarët e UÇK-së konsultoheshin dhe kishin përshtypjen se vendimmarrja ishte kolektive.
“Ka qenë takim i gjatë sepse mendoj se nuk mund të merrej vendimi menjëherë. Për t’u konsultuar mbase. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës në atë takim konsultoheshin me të tjerët. Nuk ishte e pazakontë diçka e tillë. Gjatë gjithë angazhimeve që kemi pasur me UÇK-në nuk ka pasur një person që mund ta merrte vendimin vetë. Ne, kishim përshtypje se vendimmarrja ishte kolektive”, tka thënë ai.
Procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, ka filluar në prill të vitit 2023, ndërsa ata janë duke u mbajtur në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.