Diplomati i lartë amerikan viziton Shkupin dhe Athinën
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, viziton Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
Ai do të qëndrojë në Shkup dhe Athinë më 21 deri më 27 korrik, ku do të takojë zyrtarë qeveritarë, shoqërinë civile dhe udhëheqës biznesi.
“
Në Shkup, Reeker do të takohet me presidentin, Stevo Pendarovski, kryeministrin, Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov dhe anëtarë tjerë të qeverisë për të diskutuar çështjet dypalëshe dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Ndërkaq, në Athinë, gjithnjë sipas këtij njoftimi, diplomati i lartë amerikan, do të takohet me ministrin e jashtëm, Nikos Dendias, dhe udhëheqësit e tjerë të qeverisë për të diskutuar çështje thelbësore për marrëdhëniet dypalëshe duke përfshirë tregtinë dhe investimet, bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen, stabilitetin rajonal dhe energjinë.