Diplomati rus që u dëbua nga Shqipëria, ishte i implikuar në disa ngjarje edhe në Maqedoni

22 janar 2021 | 23:22

Aleksej Krivoshev u dëbua dje nga Shqipëria për shkak të thyerjes së masave anti-COVID.

Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut. Një kohë ka qenë në Ambasadën e federatës së Rusisë në Shkup.

Është fakt interesant se veçmas diplomatët rusë nuk largohen nga rajoni.

Një rast tjetër kur Shqipëria kishte dëbuar një zyrtar të Ambasadës Ruse nga Tirana e që paraprakisht kishte shërbyer në Shkup, ishte i akuzuari Vladislav Filipov, si pjesë e spiunazhit rus. Filipov ka qenë pjesë e shërbimit ushtarak të inteligjencës ruse GRU. Për të njëjtin është diskutuar se ka qenë pjesë e përpjekjes së ndalimit të zgjedhjes së Zoran Zaevit, kryeministër të Maqedonisë në vitin 2017, në Shkup.


Në atë, kohë, edhe sipas mediave ndërkombëtare, Filipov kishte bashkëpunuar me oficerin e inteligjencës serbe BIA, Goran Zhivaleviq.

Gjatë kësaj kohe, edhe diplomati i sapodëbuar nga Tirana, kishte shërbyer në Shkup. Mirëpo, për të nuk ka të dhëna të sakta se çfarë ka qenë i angazhuar.

Dëbimi i tij ka ngjallur një reagim diplomatik të palës ruse, duke thënë se “publikimi i emrit të tij bie ndesh me praktikën ndërkombëtare diplomatike”.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme të Shqipërisë ka thënë në komunikatën për media se rusët që nga fillimi i masave anti-COVID, ia ka tërhequr vërejtjet Ambasadës Ruse në Tiranë për shkeljen e rregullave.

“Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura të masave të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë. Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”, tha Ministria e Jashtme Shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes një shkrimi në facebook, pasi…