Diplomati serb: S’do ketë sanksione ndaj Serbisë, perëndimi ka nevojë për Vuçiqin për shkak të Kosovës
Sreçko Gjukiç, diplomat dhe ish-ambasador serb, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të vendosë sanksione ndaj Serbisë – pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – pasi që, vlerëson ai, presidenti serb Aleksandër Vuiçiç, “i nevojitet perëndimit për shkak të Kosovës”.
“Të gjithë e dinë se çfarë ndodhi në Banjë, por në këtë moment për perëndimin është më e rëndësishme që presidenti i Serbisë të kthehet në agjendën e Marrëveshjes së Ohrit, sesa të bëjë një hetim të detajuar për ngjarjen e fundit tragjike në Veri të Kosovës dhe të vendosë përgjegjësinë për të gjithë ata që morën pjesë dhe e organizuan atë konflikt”, ka thënë Gjukiç për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.
Ish-diplomati serb beson se prioritet i perëndimit në këto momente është tejkalimi i krizës që u shkaktua nga sulmi terrorist më 24 shtator.
“Ka mundësi që të merren disa masa ndaj Serbisë, por sigurisht që nuk do të jenë të rënda. Perëndimi dëshiron t’i japë fund çështjes së Kosovës me Vuçiç-in. BE-ja mund të marrë një vendim për të ndaluar integrimin evropian të Serbisë, por ai proces është ndalur për dy ose tre vjet”, shtoi.
Sipas tij, kreu i Serbisë pritet të që në muajt e ardhshëm të njohë të gjitha dokumentet e Kosovës dhe të pranojë hapjen e misioneve diplomatike të Serbisë në Prishtinë dhe të Kosovës në Beograd.
“Gjithashtu, Vuçiç pritet të mos bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara. Serbia nuk do të duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të duhet të njohë situatën aktuale”, pohoi.
Ishte raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ajo që tha se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash ndaj Beogradit, kjo si përgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit.
“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse duhet të miratohen nga Këshilli, por po flasim për masa politike dhe financiare, të cilat natyrisht do të dëmtojnë Qeverinë e Serbisë”, pohonte Von Cramon për “Euronews”.