Diplomimi i Hashim Thaçit ishte shtyrë për shkak të arrestimit të Ukshin Hotit
Më 16 maj 1999, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, profesori Ukshin Hoti ishte zhdukur për të mos u parë më kurrë. Përgjegjësinë direkte për zhdukjen e tij e kanë strukturat shtetërore të Serbisë.
Por, edhe vite më herët ai ishte arrestuar nga regjimi serb. Një histori interesante e kishte treguar ish-presidenti Hashim Thaçi në lidhje me profesorin Ukshin Hotin, që atë kohë Thaçi ishte student i tij.
Dy gazetarët e njohur shqiptarë, Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, janë bashkëautorë të një libri për Hashim Thaçin dhe luftën e Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë intervistimit nga gazetarët, ndër të tjerash, kishte treguar për diplomimin dhe arsyen se përse ishte shtyrë për pak kohë diplomimi i tij.
Në libër thuhet se “Hashim Thaçi është diplomuar me temën: “Beteja e Kosovës 1389″. Drejtues të diplomës ishin: Prof. Dr. Selim Daci dhe Prof. Dr. Skënder Rizaj. Në fakt diplomimi duhej të kryhej më shpejt, por ai u vonua thuajse 2 muaj”.
Më tutje vetë Hashim Thaçi kishte treguar arsyen e shtyrjes.
“U shty për arsye se Ukshin Hoti, profesori im, u arrestua nga policia serbe në Rahovec dhe unë nuk kisha dhënë ende provimin e fundit, atë të sistemeve politike, të cilin e kreva pas lirimit të profesor Hotit nga burgu me kohëzgjatje prej 60 ditësh. Kjo është e gjitha. Unë diplomova në muajin maj 1993”, kishte treguar Hashim Thaçi.