Diplomojnë 416 policë të rinj

13 shtator 2019 | 15:19

Sot në një ceremoni solemne kanë diplomuar 416 zyrtarë policorë të gjeneratës së 54-të të Policisë së Kosovës.

Më këtë rast drejtuesit e policës dhe Ministrisë së Brendshme kanë thënë se kjo gjeneratë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme gjatë trajnimit tetë mujor dhe ka arritur që me sukses të finalizojë dhe njëherësh të kurorëzojë këtë ditë të rëndësishme për Policinë e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se policia është një organizatë e strukturuar mirë me të gjitha kapacitetet organizative, pajisje teknologjike dhe kapacitete njerëzore e profesionale.

“Puna juaj do të jetë një punë mjaft e vështirë dhe sfiduese, mirëpo një punë mjaft e çmuar nga qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Qalaj, duke shtuar se misioni i policëve është që t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës.

Kurse ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se kadetët duhet të punojnë për fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Vërtet është kënaqësi t’i drejtohem  gjeneratës së 54-të. Ky diplomim po ndodh pas disa arritjeve mjaft të mëdha. Programi që ju ofrua është me përvojat më të mira ndërkombëtare. Edukimi është komponent më i rëndësishëm i një sistemi. Ju tani po bartni uniformën e institucionit që ka besueshmërinë më të lartë te qytetarët e Kosovës. Është shumë me rëndësi që mirëmbajtja e kësaj besueshmërie të bëhet duke e respektuar ligjin”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkohë drejtor i Akademisë për Siguri Publike, Smajl Smakiqi, ka deklaruar se  kadetët gjatë javëve në akademi kanë fituar shumë shkathtësi dhe janë të gatshëm për ta ushtruar profesionin e tyre.

“Viti 2019 ka qenë me më së shumti kadetë. Ju gjatë këtyre 34 javëve të kaluara në akademi keni fituar shkathtësi që në të ardhmen të ushtroni profesionin tuaj. Profesionin tuaja ushtrojeni duke ju shërbyer qytetarëve të atdheut tuaj pa asnjë dallim”, është shprehur Smakiqi.

Hapja e ceremonisë së diplomitit të policëve të rinj ka filluar me parakalimin e kadetëve të rinj, ndërsa në nderim të zyrtarëve të rënë në detyrë është mbajtur një minutë heshtje.

Nga 416 policë, 31 për qind e tyre janë femra.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë…